Ish-presidenti mburret me Telushin, thumbon keq Flamurtarin

11 Nëntor 2019
13:37
Alfred Lleshi

Partizani barazoi në Vlorë, me skuadrën e vendit të fundit në renditje. Trajneri Franco Lerda, sikur ta kishte parandier, i këshilloi të tijtë të mos e vlerësonin kundërshtarin nga klasifikimi aktual, por nga emri. Dhe Flamurtari ka çfarë thotë për këdo në vendin tonë, por jo vetëm: ka emër, histori, traditë, trofe dhe dy ndeshje për të mos u harruar në Kupat e Europës kundër Barcelonës. Ndoshta duke pasur parasysh këto gjëra, trajneri i të kuqve nuk e konsideroi hap fals barazimin në Vlorë, mbas ndeshjes. Megjithatë, situata te kuqezinjtë është për të ardhur keq. 

Njëri ndër ata që e përjeton amullinë te Flamurtari është ish-presidenti Shpëtim Gjika. Me të si kryebashkiak, skuadra fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, nuk e diskutonte kurrë mbijetesën. Ndoshta për të dhënë një mesazh indirekt, Gjika ka pozuar sot me Bruno Telushin, “ushtarin” e Partizanit kampion, me të cilin krenohet. Foton, bashkë me statusin përkatës e ka shpërndarë përmes Facebook: “Sot, me kapitenin Bruno Telushi. Një kafe miqësore dhe respekti të ndërsjellë për vitet që kaluam bashkë te Flamurtari. Unë i gëzuar dhe Telushi i mërzitur për barazimin e djeshëm! Por, të dy të dëshpëruar për situatën e Flamurtarit, ekipit tonë të zemrës! Suksese Bruno, krenohem me ty kampion!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit