Ishte “vrasësi” i tij, Messi lartëson Casillas: Fitove gjithçka, ishte kundërshtar i vështirë

5 Gusht 2020
11:58
Alfred Lleshi
back button

Që nga njoftimi për “pensionimin” e tij, Iker Casillas nuk ka ndalur së marri mesazhe dashurie dhe admirimi për karrierën e tij të suksesshme dhe të gjatë. Ish-portieri i Real Madridit, Spanjës edhe Portos zyrtarizoi dje largimin nga futbolli i luajtur në moshën 39-vjeçare. Një tërheqje që bëhet realitet pas një viti larg fushave të lojës, për shkak të një sulmi në zemër.

Rrjetet sociale ishin të mbushura me mesazhe të dashura për Casillas, si nga ish-shokët e skuadrës së bardhë, apo të kombëtares, por edhe nga rivalët. Njëri prej tyre, i cili i ka shënuar më shumë gola përgjatë karrierës së tij, është Leo Messi. “Iker tërhiqet sot (del në pension), por ai ka hyrë në historinë e futbollit shumë kohë më parë, jo vetëm sepse ishte një pikë referimi në La Liga, por edhe sepse arriti të fitojë gjithçka ndërkombëtarisht”, – pranon ylli i katalanasve në një mesazh të publikuar nga gazeta “As”.

Admirimi është reciprok, pasi Casillas kurrë nuk e fshehu vështirësinë për t’u përballur me një lojtar si Messi. “Sulmuesi më i mirë, me të cilin jam përballur ndonjëherë? Është Messi. Jam përballur me të shumë herë dhe nuk kam asnjë dyshim në këtë përzgjedhje. Më është dashur ta provoj shumë herë, në të mirë dhe të keq”, – ka shpjeguar ish-kapiteni i Real Madridit në më shumë se një rast.

Në të njëjtën gazetë, sulmuesi argjentinas vlerëson Casillas, për të cilin beson se e ndihmoi atë të rritet si profesionist: “Ju ishit një portier spektakolar. Në të vërtetë ishte e vështirë t’ju kisha si kundërshtar, por duke parë mbrapa, gjithashtu mendoj se ishte një rivalitet mjaft i bukur, që na bëri ta kapërcejmë veten sa herë që ndesheshim njëri me tjetrin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit