Ish-ylli i Arsenalit shpërthen ndaj Ozil: Çfarë kontributi ka ai? Absolutisht, zero!

14 Janar 2019
14:06
Alfred Lleshi
back button

Mesut Ozil ka ofruar "absolutisht zero kontribut" për Arsenalin, që nga nënshkrimi i kontratës së re mjaft fitimprurëse me klubin. Kështu pretendon ish-ylli i “Topçinjve të Londrës”, Paul Mariner.

Rinovimi me gjermanin u konsiderua si një triumf për klubin nga “Emirates”, pasi një tjetër aset i çmuar u pengua të largohej. Sidoqoftë, pritshmëritë karshi tij nuk janë përmbushur. Përkundrazi, trajneri Unai Emery vazhdon ta apelojë herë pas here, duke parë që kontributi i Ozil nuk përputhet aspak me pagën që merr, as me trashëgiminë si futbollist. 

Mariner beson se 30-vjeçari po bën pak për ta justifikuar marrëveshjen e re, për të merituar rolin e titullarit tek Arsenali. Duke folur për “ESPN”, ai nuk e fshehu zhgënjimin me gjermanin: 

"Jam i habitur se si Arsenali e la Alexis Sanchez të largohej. Sanchez, kur shkova tek Arsenali për ta parë, ishte fenomenal. Nuk u tërhoq aq shumë nga oferta e Manchester United, por drejtuesit e klubit e lanë Sanchez të largohej, ashtu siç po bëjnë me Aaron Ramsey, i cili do të ikë te Juventusi falas. Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh?

Edhe me Ozil ka diçka që po ndodh, por ndoshta nuk e dimë. Arsenali vendosi “t'i vërë të gjitha vezët” e veta në një shportë me Ozilin, apo jo? Megjithatë, çfarë ka bërë Ozil për klubin? Absolutisht zero! Zero!

Ai është një lojtar fantastik, por duhet të përshtatet. Ka diçka që po ndodh me të, por nuk e dimë". Ozil mungoi edhe një herë për Arsenalin gjatë fundjavës, kur të tijtë u mundën 1-0 në derbin me rivalët e Londrës, West Ham.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit