Ismajli sfidon Kroacinë dhe të dashurën e tij kroate: Jemi në grupin e vdekjes, por nuk dorëzohemi

5 Dhjetor 2023
10:40
Alfred Lleshi
back button

Ardian Ismajli, ish-lojtari i Hajdukut, pjesë e kombëtares shqiptare, u kontaktua prej nesh pas shortit të finaleve të Kampionatit Europian: “E ndoqa shortin e Europianit ‘live’ në autobus, sapo po ktheheshim nga një vizitë në Genoa. Ishte short interesant, të gjithë ranë dakord që grupi ynë ishte më i vështiri, grupi i vdekjes”.

Grupi në të cilin tri skuadrat më të mira nga Liga e Kombeve e fundit, Spanja, Kroacia dhe Italia, janë më të vështirat për Shqipërinë…: “Ne ramë në grup me tri kombëtare të mëdha, por ju e dini se si është, nuk ka kundërshtarë të lehtë në Europian.

Të gjithë ata që u kualifikuan e meritojnë të jenë atje dhe shpresojnë ta kalojnë grupin, ashtu si edhe ne. Kur nisën kualifikimet, shumëkush i konsideroi favoritë çekët dhe polakët, por në fund dolëm ne të parët në grup, që do të thotë se e meritojmë. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në testet me konkurrentët e drejtpërdrejtë për kualifikim”.

Ismajli mezi pret të shohë ish-bashkëlojtarët e tij kroatë: “Në kombëtaren kroate bëjnë pjesë Nikolla Vlashic, Josip Juranovic dhe Martin Erlic, të cilët i kam takuar në Itali, si dhe disa lojtarë të tjerë.

Do të jetë mirë t’i shoh sërish në fushë, të shkëmbejmë fanellat pas lojës… Larg kësaj, do të jetë e vështirë si për ne, ashtu edhe për ata. Në pesë vitet e fundit, Kroacia ka fituar tri medalje në garat e mëdha, të gjithë e dimë se sa e fortë është kombëtarja kroate, çfarë mentaliteti ka”.

Nëse dikush i njeh mjaft mirë lojtarët kroatë, ai është Ismajli, i cili ka kaluar 5 vite në Kroaci: “E di se sa e fortë është Kroacia, që drejtohet nga trajneri Dalic. I njoh pothuajse të gjithë lojtarët dhe nuk kam nevojë të flas se çfarë lloj individësh janë, në çfarë lloj klubesh luajnë të gjithë.

Wales v Albania - International Friendly - Cardiff City Stadium

Por nuk është vetëm Kroacia… Spanja dhe Italia janë gjithashtu kombëtare të mëdha, ndaj do të jetë interesante se si do të zhvillohen gjërat në grupin tonë. Ne do të bëjmë maksimumin në fushë, pastaj si do të përfundojë, futbolli është i paparashikueshëm. Loja mund të shkojë në një drejtim apo në një tjetër, besoj se edhe ne kemi një shans, pavarësisht peshës së kombëtareve të tjera që janë favorite”.

Do të jetë interesante në fushë, por asgjë më pak interesante nuk do të jetë në tribuna: “Oh, po, do të jetë një shfaqje, ha, ha, ha… Jam i sigurt se do të ketë shumë fansa tanë, sepse shumë shqiptarë dhe kosovarë jetojnë në Gjermani, Austri, Zvicër. Shumë prej tyre do të vijnë edhe nga Shqipëria e Kosova. Të gjithë do të duan të shohin se sa mund të bëjmë në konkurrencën e tri kombëtareve të mëdha. Nuk kam dyshim se do të kemi mbështetje të madhe të tifozëve, të paktën po aq sa rivalët tanë”.

Në historinë e kompeticioneve të mëdha, Shqipëria u kualifikua në Europian vetëm një herë, tetë vite më parë në Francë, kur u eliminua në grup pas humbjeve ndaj Zvicrës dhe Francës, me fitoren e vetme historike ndaj Rumanisë: “Unë i pashë ato ndeshje, për mendimin tim kombëtarja shqiptare dukej shumë më mirë sesa treguan rezultatet përfundimtare.

Besoj se në Gjermani do të marrim një rezultat më të mirë, pavarësisht grupit të hekurt. Nëse më pyet mua, le të kalojnë Kroacia dhe Shqipëria, ha, ha, ha… Kroacia është e fortë, që nga portieri te qendërsulmuesi, sidomos në mesfushë, Modric, Kovacic, Brozovic, dhe Guardiol… Nuk dihet se në çfarë forme do të jetë Perisic, i cili për mendimin tim është forca më e madhe e Kroacisë”.

Po forca më e madhe e Shqipërisë? Mbrojtësi i Empolit në Serie A përgjigjet: “Nëse luan Jasir Asani, nëse arrin të kapë formën e duhur, do të jetë përforcimi ynë më i madh. Mendoj se jemi një skuadër e organizuar mirë, Berisha, Gjimshiti, Bajrami, Seferi, Ramadani, Muci, Asllani, Hysaj…, Cikalleshi që e njihni nga Spliti, Uzuni që ka luajtur për Lokomotivën. Ende kemi ndihmëstrajner të kombëtares Ervin Bulkun, që luajti për Hajdukun”.

friendly football match - 2022 - Spain vs Albania

Ismajli është i kënaqur me paraqitjet e tij në Itali, lojtar standard në formacionin e Empolit: “Për të mos u kënaqur, luaj standard në një nga ligat më të mira në botë, jam duke u përmirësuar vazhdimisht. Po luftojmë për mbijetesë, që nuk është e lehtë, por besoj se do të qëndrojmë në Serie A, sepse kemi ekip cilësor. Shpresoj për një pranverë shumë më të mirë. Unë kam arritur tashmë një objektiv të sezonit, që është kualifikimi në ‘Euro 2024’. Tani më kanë mbetur edhe dy, të qëndroj në Serie A dhe të luaj mirë në Europian”.

Po Hajduku? “Është dashuria ime e madhe, shpresoj që ky të jetë sezoni në të cilën do të shkojë deri në fund për titull. Ndeshjen kundër Goricës e kam parë, barazimin, siç e shikoj çdo ndeshje. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tij. Gjithçka nis nga presidenti Jakobusic, i cili e organizoi mirë klubin në të gjitha nivelet, trajneri Karoglan ka disa lojtarë cilësorë në çdo pozicion dhe jam i bindur që Hajduku do ta fitojë kampionatin. Nuk e shoh se kush mund ta konkurrojë”, – thotë Ismajli.

Dhe kur e ngacmuam se e lavdëron Jakobusicin për faktin se e dashura e tij prej shumë kohësh, Matea Belsic është kryetare e seksionit të femrave të Hajdukut, prandaj edhe bashkëpunëtore e presidentit, ai vetëm qeshi: “Jo, jo, e lavdëroj se e meriton. Ndërsa femrat tashmë kanë bërë një hap të madh përpara, duke u renditur në Ligën e Parë, por vështirë se do të jenë kampione këtë vit. Për kë do të bëjë tifo e dashura ime; Kroacinë apo Shqipërinë? Një burrë do ajo, kjo është e sigurt…”
Marrë nga “24sata.hr

Ardian Ismajli

Lajme të tjera

Lajmet e fundit