Italia në krizë dhe “play-off”; Mancini e sheh shpëtimin te… dy brazilianë

24 Nëntor 2021
9:29
Alfred Lleshi
back button

Vendi i dytë në raundin kualifikues të “Katar 2022”, pas Zvicrës, po hap skenarë deri vonë të paparashikueshëm për Italinë, e cila nuk mund të përballojë një eliminim të dytë radhazi nga Botërori, çka do të ishte shkatërrues për imazhin e saj. Ndeshjet e fundit kanë nxjerrë në pah të metat dhe, mbi të gjitha, boshllëqet në skuadrën e drejtuar nga Roberto Mancinit, i cili mund të ketë “përforcime” të reja për “play off”-in e marsit.

Nëse ditët e fundit është përfolur shumë për mundësinë e thirrjes së Joao Pedro me kombëtaren italiane, tani është radha e një tjetër “vendasi” potencial, i cili në këtë rast do të përforconte repartin e mbrojtjes. Edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport” bën me dije emrin, Luiz Felipe, si një kurë e mundshme për hallet e bluve.

Qendërmbrojtësi i Lazios tashmë ka një pasaportë të dyfishtë, duke qenë në gjendje të llogarisë origjinën italiane të të dy prindërve, dhe procesi drejt thirrjes nga axurrët nuk do të ketë pengesa burokratike. FIGC po punon për të kuptuar disponueshmërinë e lojtarit në fjalë.

Në fakt, Luiz Felipe tashmë kishte kontakte të ngushta me kombëtaren italiane në mars 2019, kur trajneri i atëhershëm Gigi Di Biagio e thirri atë me ekipin U-21. Mbrojtësi i datëlindjes 1997, megjithatë, nuk kishte dëshirë të vazhdonte dhe hoqi dorë nga ideja për të përfaqësuar Italinë, duke e motivuar zgjedhjen e tij me dëshirën për të gdhendur emrin e tij në kuadrin e Brazilit, ku ka veshur fanellat e U-20 dhe U-23, pa u marrë në konsideratë nga Tite për kombëtaren e madhe.

Ky aspekt i fundit mund të jetë vendimtar që Luiz Felipe të ndryshojë mendje pothuajse tri vite pas atij refuzimi, edhe nëse ndryshe nga Joao Pedro (i cili është pesë vjeç më i madh) duket se ka më shumë vend për një thirrje në të ardhmen e afërt.

Si mbrojtësi i Lazios, ashtu edhe Joao Pedro do të thirreshin si zgjedhje vendimtare, çka do t’i çonte ata të braktisnin njëherë e përgjithmonë ëndrrën braziliane. Për këtë arsye, puna diplomatike e FIGC është thelbësore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit