Italia “qan” Kumbullën: Vetëm dy minuta e ndajnë nga kombëtarja jonë

12 Shkurt 2020
10:06
Alfred Lleshi
back button

Mediat italiane vazhdojnë t’i bëjnë jehonë paraqitjes së 20-vjeçarit shqiptar, Marash Kumbulla, në sezonin e tij të parë në Serie A. Mbrojtësi shkodran është bërë një pikë e padiskutueshme referimi te Hellas Verona, duke ngërthyer vëmendjen dhe interesin e gjigantëve të Europës. Verën e këtij viti do ta shohim patjetër në një klub të madh, teksa në Itali; Inter, Napoli dhe Lazio kanë trokitur për të, ndërsa flitet se edhe Juventusi mund të përfshihet në “ankand”. 

Çmimi i kartonit të tij ka “fluturuar” deri në 30 milionë euro. Në Gjermani ka interes nga Borussia Dortmund, ndërsa nga Anglia po e monitorojnë dy Manchesterët, Chelsea dhe ndonjë tjetër. Në këtë pikë të karrierës, italianët shprehin keqardhjen e tyre që Kumbulla nuk luan për kombëtaren e tyre. Në këtë drejtim shkon edhe shkrimi i “Goal.com”, version italisht:

“Ndër surprizat kryesore të këtij kampionati është padyshim Verona e Juric, e aftë të bllokojë Milanin, Lazion dhe Juventusin. Në mesin e protagonistëve të skuadrës është edhe Marash Kumbulla, një qendërmbrojtës i ri, që i shpëtoi kombëtares italiane për një fije… Talenti i datëlindjes 2000 ka lindur në Itali, në Peschiera del Garda, dhe ka pasaportë të dyfishtë, por tashmë e ka bërë debutimin e tij me fanellën e kombëtares shqiptare, tetorin e kaluar, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Europian 2020, kundër Moldavisë, duke hyrë në fushë minutën e 89-të, kur rezultati ishte 0-4. 

Prandaj, vetëm dy minuta e ndajnë Kumbullën nga mundësia e thirrjes me axurrët. Një keqardhje e vërtetë për trajnerin Mancini, i cili sheh një talent dhe mundësi që zbehet, tashmë i përfunduar në radarët e Interit dhe Napolit, në funksion të merkatos së verës. Një rritje e vazhdueshme për mbrojtësin e ri të Veronës, i cili tashmë i ka bindur të gjithë në Serie A”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit