Italianët bëjnë ligjin në Katar, Bagnaia prek titullin e dytë kampion në MotoGP

19 Nëntor 2023
18:57
Telesport
back button

Piloti italian Fabio Di Giannantonio fitoi sot në mbrëmje garën e Cmimit të Madh të Katarit në MotoGP, zhvilluar në pistën e Lusail. Ky është suksesi i parë për Di Giannantonio në karrierën e tij, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm me motorin Ducati Gresini.

Në vendin e dytë u klasifikua një tjetër pilot italian, Francesco Bagnaia me Ducatin zyrtar. Ai e humbi kryesimin 4 xhiro nga fundi dhe në përpjekje për ta rimarrë kreun për pak sa nuk u rrëzua. Gjithsesi, falë këtij vendi të dytë, ai shkon në +21 pikë avantazh ndaj spanjollit Jorge Martin, që u klasifikua në vendin e 10-të.

Një garë për t’u harruar kjo për Martin, që një ditë më parë triumfonte në garën sprint, por sot zhgënjeu. Atij i duhet një mrekulli në garën e fundit në Valencia për t’u shpallur kampion. Në podium u ngjit sot edhe italiani tjetër Luca Marini me Ducati VR46.

Pra, një dominim i pilotëve italianë, që u ngjitën në podium, ndërkohë që i katëri doli Maverick Vinales me Aprilia. Gara e fundit sezonale është pas një jave në Valencia, ku do të shpallet piloti kampion, me Bagnaia që është shumë pranë konfirmimit si më i miri në MotoGP.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit