Italianët fitojnë etapat e Turit, Sefa mbron fanellën e verdhë të liderit

22 Maj 2019
18:56
Telesport
back button

Çiklistët italianë bëjnë të tyren edhe etapën e tretë të edicionit nr.76 të Turit Çiklistik të Shqipërisë. 7 “azzurrë” u renditën në 7 vendet e para në përfundim të etapës Elbasan-Vlorë, 177km e gjatë. Një etapë e përshtatshme për sprinterët, duke qenë se terreni ishte më së shumti fushor.

Kjo bëri që të gjithë çiklistët të garonin në grup dhe në fund nisi një betejë e fortë sprinti, ku dominuan çiklistët e shtetit fqinj. Më i shpejti në finish u tregua Moreno Marchetti, që mbërriti i pari pas 4h29’43”. Në vendin e dytë e të tretë u renditën Marria Baldo dhe Simone Bevilacqua.

Çiklisti Ylber Sefa

Çiklisti më i mirë shqiptar në këtë garë ishte Klidi Jaku, që u rendit i nënti (të 64-t çiklistët e përfunduan garën, nuk pati asnjë tërheqje). Gjithsesi, ky edicion i Turit Çiklistik vijon të komandohet nga Ylber Sefa i kombëtares së Shqipërisë (sot i 13-ti në finish, por me kohë të njëjtë me fituesin),që mban të vbeshur edhe fanellën e verdhë të liderit.

Nesër zhvillohet etapa e katërt, Vlorë-Sarandë, 123km e gjatë, një etapë që mund të vendosë fatet e turneut. Çiklistët do të përballen me maloren e fortë të Qafës së Llogarasë.

Itinerari i Turit të 76-të Çiklistik

Etapa I, Shkodër-Reps-Shkodër, 193km

1-Ylber Sefa, Shqipëria, 3h37’09”

Etapa II, Shkodër-Elbasan, 183km

1-Samuele Zambelli, Iseo Serrature, 4h29’43”

Etapa III, Elbasan-Vlorë, 177km

1-Moreno Marchetti, Neri Sottoli Selle, 4h29’43”

2-Mattia Baldo, Iseo Serrature Rime, “

3-Simone Bevilacqua, Neri Sottoli Selle, “

EtapaIV, Vlorë-Sarandë, 123km

Etapa V, Sarandë-Fier, 162km

Renditja e përgjithshme

1-Ylber Sefa, Shqipëria, 12h34’55”

2-Matic Veber, KK Bled Mix, +18”

3- Mirco Sartori, Iseo Serrature, +21”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit