“Ja pse refuzova PSG dhe Real Madrid”, Tite: Tani dua vetëm një gjë

22 Qershor 2022
15:04
Denis Hakanaj
back button

Trajneri i Brazilit, Tite, ka dhënë një intervistë për The Guardian në të cilën ka zbuluar disa prapaskena të karrierës së tij. Trajneri ka folur për disa oferta që ka marrë nga dy klube të mëdha europiane dhe për objektivin që ka me Seleçao-n.

BRAZILI – “Botërori? Jam në pritje, i përqendruar. Jemi kualifikuar në Kupën e Botës dhe tani është momenti ta fitojmë. Kam mundësinë ta mbyll të gjithë ciklin katërvjeçar. Pritshmëria është e madhe, por jemi të përqendruar te puna. E di se nëse fitoj, do të jem më i miri, përndryshe do të fyhem.

“Nuk arrij ta kuptoj pse ka gjithmonë një presion të madh. Kemi fituar Kupën e Amerikës të 2019-ës, kemi thyer rekordin për numrin më të madh të pikëve të grumbulluara në fazën kualifikuese, jemi në krye të renditjes botërore.  Por të gjithë duan Kupën e Botës.

“Nëse do të tërhiqem pas Botërorit? Ndoshta po, pasi ta kemi fituar. Neymar është ylli ynë, pritet gjithmonë shumë nga ai, por interesi rreth tij ka rënë pak. Megjithatë, mbetet Neymar, por po rriten edhe Vinicius, Raphinha, Rodrygo, Paqueta, Casemiro, Fabinho”.

REFUZIMI – “Ka patur disa klube që më kanë kërkuar, por i kam refuzuar. Në 2018-ën, PSG më ka kërkuar pasi ka shkarkuar Emery.

“Më pas ka ardhur Real Madrid, por edhe atyre u kam thënë se doja të vazhdoja punën si trajner i kombëtares. Besoj se nuk është e mundur të menaxhosh dy punë paralelisht. Dua të fitoj Kupën e Botës. Pas Botërorit, do të vendos të ardhmen time”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit