“Jam shumë i lumtur”; Lukaku zbarkon në Itali, sot vizitat mjekësore dhe firma me Interin

29 Qershor 2022
7:53
Alfred Lleshi
back button

Mëngjesi i të mërkurës së 29 qershorit hapet me ardhjen në Itali të Romelu Lukakut, gjithnjë e më pranë rikthimit për të qenë lojtar i Interit. Sulmuesi belg zbarkoi në aeroportin Linate për të nisur aventurën e tij të dytë me fanellën zikaltër.

“Jam shumë i lumtur”. Këto ishin fjalët e vetme që tha “BigRom” para tifozëve, që kishin dalur për ta mikpritur qysh në aeroport. Kësisoji, Milano do të jetë sërish shtëpia e sulmuesit belg të datëlindjes 1993. Ai e ka të freskët eksperiencën e parë tek Interi nga viti 2019 deri më 2021.

Tashmë, ish-sulmuesi i Chelsea do t’iu nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore gjatë ditës së sotme, çka do t’i paraprijë firmës në kontratë. Lukaku, 64 gola në 95 paraqitje për klubin zikaltër, u shit te Chelsea vetëm një vit më parë për një shifër afër 115 milionë euro.

365 ditë më vonë, ja ku ai është sërish nën hijen e Madonnina; gati për ta djesitur fanellën e Interit me formulën e huazimit të rëndë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit