Arturo Vidal është kthyer në qendër të vëmendjes. Përveç akuzave ndaj Real Madrid dhe kritikave ndaj Milan-it, pas paraqitjes zhgënjyese në Champions, mesfushori ka vendosur të dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldo-s.
Kiliani është kthyer të flasë për periudhën kur portugezi ishte te Manchester United nën drejtimin e Ten Hag, para se të largohej përfundimisht nga Europa për në Arabi.
Vidal ka drejtuar gishtin nga trajneri aktual i Djajve të Kuq dhe ka mbështetur zgjedhjen e pesë herë fituesit të Topit të Artë për të shkuar tek Al Nassr.
“Ai trajner (Ten Hag) ka shkuar atje me mendimin e gabuar, si mund të largohet Cristiano Ronaldo? Këta trajnerë janë të tmerrshëm. Nuk e di si logjikojnë. Cristiano ishte golashënuesi më i mirë dhe e largojnë”, ka thënë Vidal.
“Qerosët janë të komplikuar”, ka shtuar mesfushori.
Vidal i është referuar Sampaoli-t, me të cilin ka pasur probleme në momentin e transferimit të tij te Flamengo. Tani kiliani luan tek Athletico Paranaense, por e ka sulmuar trajnerin argjentinas edhe në të kaluarën. Pas debutimit me klubin e ri, këto kanë qenë fjalët e tij:
“Kam pasur një trajner, një humbës, që nuk i vlerëson lojtarët. Tani kam kuptuar atë që më thonin njerëzit për të, për njeriun që është. Ndihemi i lumtur që nuk punoj me të”.