Jashtë Interit, tani i pavlefshëm edhe për Ligën e Kampionëve

8 Tetor 2020
12:57
Alfred Lleshi
back button

Kthimi i Victor Moses te Chelsea nuk duket i lehtë. Pasi kishte hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij, lojtari që luajti tek Interi i huazuar gjysmën e sezonit të kaluar, nuk është aktivizuar asnjëherë nga Frank Lampard këtë edicion në vijim. Si të mos mjaftonte kaq, ai tashmë është përjashtuar edhe nga lista e Champions-it. Blutë njoftuan dje lojtarët në dispozicion të Lampard. Anësori nigerian është një nga të përjashtuarit, së bashku me Danny Drinkwater, Rahman Baba dhe Charly Musonda, plus portieri i katërt, Baxter.

Me Interin, Moses luajti 20 ndeshje në total, 7 si titullar, duke mos e gjetur kurrë golin, por arriti të jepte pesë asiste. Antonio Conte kishte dashur ta mbantë në Milano, u bisedua për vazhdimin e tij me zikaltrit, por nuk u arrit marrëveshja me londinezët. Kontrata e Moses me Chelsea skadon më 30 qershor 2021. Ndeshja e tij e fundit me blutë daton në tetor 2018. Mundësia e një largimi në ditët e ardhshme, në Rusi ose Portugali, merkato akoma të hapura, ose në ligat e vogla angleze, mbetet e hapur. Në të kundërt, duhet të presë merkaton e janarit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit