Java e zezë e PSG, shtypi francez sulmon ashpër Neymar

10 Maj 2021
12:47
Alfred Lleshi
back button

Neymar është në qendër të të gjitha kritikave, pas javës së zezë së PSG-së. Gjigantët parizienë u eleminuan nga Champions-i dhe kompromentuan seriozisht shanset për të fituar titullin në Ligue 1. Gjithçka ndodhi brenda pak ditësh, ndaj shtypi francez po tregohet tejet kritik ndaj yllit brazilian të superpaguar.

Këto kritika vijnë pas zyrtarizimit të rinovimit me PSG, çka parandaloi një ‘telenovelë’ të re me Barçën. Sulmuesi ishte protagonist në barazimin e djeshëm 1-1 me Rennes, një rezultat që shihet si pengesë serioze për ta fituar kampionatin.

Një nga kritikat më të përsëritura ndaj Neymar ka qenë individualizmi i tij. “L’Equipe” shkruan: “Ai u end mes linjave pa dinamizëm. Neymar deshi të argëtohej vetëm, duke harruar shokët e tij të skuadrës. Goli që shënoi me penallti, i teti në 16 ndeshje të Ligue 1, nuk e fsheh produktin e tij, dukshëm i pamjaftueshëm”.

“Le Parisien”, ndërkohë kritikoi mungesën e përpjekjeve të brazilianit në ndeshjen e fundit, duke ironizuar se ai dukej sikur po “luante me çorape”. Gjithashtu, e pamëshirshme ishte ‘RMC Sport’, që vuri në pikëpyetje diapazonin e brazilianit, duke parë rezultatet e PSG:

“Ka lojtarë që duhet të marrin përgjegjësi. Si mundet që një lojtar si Neymar të ketë një javë kaq katastrofike? Ne nuk mund të themi vazhdimisht ‘gjeniu brazilian’, ‘artisti’, ‘top 3 i botës’, ‘e ardhmja’, ‘Topi i Artë’. Le të jemi të ndershëm dhe t’i themi publikut diapazonin real të Neymar, sa vlen realisht, përmes produktit në fushë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit