Jerome Boateng shpërthen kundër Bayernit për gjobën ndaj tij

2 Prill 2020
15:55
Alfred Lleshi
back button

Jerome Boateng ka shpërthyer kundër gjobës financiare të vendosur ndaj tij nga Bayern Munich, pasi ka dashur të largohet nga qyteti i Mynihut, megjithë udhëzimet e rrepta të lëshuara nga klubi. “Është e trishtueshme, – citohet mbrojtësi në gazetën “Bild”. – Unë do të pranoj të gjitha llojet e gjobave, për sa kohë që ato janë të ligjshme. Jam i vetëdijshëm që me siguri ishte gabim të mos e informoja klubin për udhëtimin tim, por në atë kohë vetëm djalin tim kisha në mendje. 

Ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kur djali kërkon ndihmë nga babai i tij, është e qartë se ai hyn në makinë, pa marrë parasysh sa është ora. Për atë pranoj të gjitha llojet e gjobave. Në fund të fundit ai është djali im. Do të doja të shihja një baba të vetëm që nuk bën të njëjtën gjë në atë kohë, për të qenë pranë djalit të tij 4-vjeçar. Nëse kjo duhet ndëshkuar me gjobë, atëherë mirë”.

Në fakt, nuk përfundoi si një udhëtim i thjeshtë. Për shkak të kushteve të papërshtatshme të makinës, ish-ndërkombëtari gjerman bëri aksident në autostradën A9, që lidh Mynihun dhe Berlinin, ku ndodhet djali i tij. Ai e shkatërroi Mercedes-in në një përplasje me mbrojtëset anësore të autostradës. Kostoja e dëmeve rritet në një total prej 25.000 euro dhe Bayern Munich nuk ngurroi të vepronte, duke e gjobitur me një shumë që do të shkojë në spitale, për të ndihmuar në luftimin e “Coronavirus”.

“Boateng veproi në kundërshtim me udhëzimet e FCB, të cilat rregullojnë sjelljen e lojtarëve të klubit në situatën aktuale, në përputhje me kufizimet e lëvizshmërisë, të përcaktuara nga shteti i Bavarisë dhe rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Bayerni beson se duhet të jetë shembull për shoqërinë”, – shpjegoi klubi në një deklaratë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit