Jo vetëm Sllovenia, zyrtarizohet miqësorja tjetër e marsit për kuqezinjtë

14 Shkurt 2020
11:33
Alfred Lleshi

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do të luajë dy ndeshje miqësore në muajin mars, kur janë datat e lira të FIFA-s. Në fakt, një ballafaqim i tillë me Slloveninë ishte konfirmuar prej kohësh, për më 31 mars. Do të luhet në Udine, në “Stadio Friuli”, prej orës 20:45. Jo nga FSHF-ja, por federata e saj homologe e San Marinos, kemi zbuluar edhe miqësoren tjetër të kuqezinjve, po në muajin e ardhshëm. Më konkretisht, të besuarit e Edy Reja do të përballen me San Marinon, në fushën e kësaj të fundit, më 27 mars. 

Orari i kësaj ndeshjeje nuk është përcaktuar ende, pasi pritet sinkronizimi final mes dy federatave. Ja njoftimi zyrtar i FSGC: “Konfirmimi zyrtar i dy ndeshjeve miqësore, që do të zhvillohen në stadiumin “San Marino”, në javën e fundit të marsit, mbërriti dje. Bardhekaltrit do të kthehen në fushë saktësisht pas një muaji e gjysmë, për t’u përballur së pari me Shqipërinë dhe më pas me Letoninë. Datat në kalendar janë ato të 27 dhe 31 marsit. Orari është akoma për t’u përcaktuar në bazë të marrëveshjes midis federatave të përfshira. Vlen të përmendet se sfidat për ekipet kombëtare të Reja dhe Stojanoviç do të jenë zyrtare, në të gjitha aspektet, d.m.th nën kujdesin e FIFA-s… 

San Marino nuk e ka takuar kurrë Shqipërinë në fazat kualifikuese të turneve të mëdhenj. Në histori gjejmë dy miqësore zyrtare, të luajtura 8 vjet larg njëra-tjetrës. E para më 16 gusht 2006, me Mazza në stol. U luajt në Serravalle dhe ndeshja përfundoi 0-3, me gola të Tare, Skela dhe Lala. I njëjti rezultat u konfirmua edhe në qershor 2014, kur Pierangelo Manzaroli ndodhej në pankinë. Me atë rast ishin golat e Mavraj, Vajushi dhe Vila që vendosën fatin e miqësores”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit