“Joao Felix është për Top të Artë, por CR7 është më i mirë se… Bolt”

16 Shtator 2019
15:26
Denis Hakanaj
back button

Pualo Futre, legjendë e futbollit portugez dhe drejtues i Atletico Madrid, ka folur për Corriere della Sera në prag të sfidës së Champions League mes Atletico Madrid dhe Juventus.  Një ndeshje që do të vërë përballë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e Portugalisë: Cristiano Ronaldo kundër Joao Felix.

Topi i Artë – “Joao Felix? Është 20 vjeç dhe ajo që ka bërë në shtatë muaj me Benfica-n ka treguar se është një kampion. Mund të jetë lojtari më i mirë i Portugalisë, kur CR7 të tërhiqet. Sipas mendimit tim, Joao mund të fitojë Topin e Artë, por do të ishte një çmenduri të thuhej tani se mund të fitojë 5 si Cristiano dhe do të ishte një mungesë respekti për një fenomen 34-vjeçar”, ka thënë Futre.

CR7 – “Katër golat që ka shënuar kundër Lituanisë? Për të mund të jetë një gjë normale, mjafton të mendosh për tre golat e shënuar pikërisht kundër Atletico-s në mars, kur bëhej fjalë për jetë a vdekje. Unë mendoj se as Usain Bolt nuk do të arrinte të bënte sot 90 metra sprint në 10 sekonda. Dhe është e sigurt se nuk e ka bërë asnjë në historinë e futbollit”.  

Atletico v Juventus – “Atletico Madrid? Simeone ka ndryshuar filozofinë e ekipit, që tani luan një futboll më sulmues dhe zotëron më  shumë topin. Gjithsesi, sa herë që ndryshon ka rreziqe, siç është parë në humbjen e pësuar të shtunën kundër Real Sociedad. Juventus? Sarri më pëlqen shumë. Napoli i tij, me tre sulmuesit e vegjël përpara, ka lënë shenjë në futbollin e viteve të fundit. Por është e qartë se Juventus ka lojtarë me karakteristika të ndryshme dhe do të duhet kohë”.

Champions – “Kush fiton? Peshkaqenët do të jenë të gjithë aty në pranverë. Futbolli anglez ka ndërprerë dominimin e spanjollëve. Megjithatë, gjithçka mund të ndodhë në këtë kompeticion. Guardiola? Problemet e tanishme nuk kanë rëndësi. Gjithsesi, sfida e vërtetë për të është që të fitojë Champions-in pas viteve të kaluar te Barcelona. Të gjithë pyesin veten nëse do t’ia dalë. Messi, i uritur si Ronaldo? Messi mbetet Messi”. 

“Inter, surpriza e mundshme? Nëse kanë fituar në 2010-ën me Mourinho-n, kur nuk ishin favoritë, pse të mos ëndërrojnë edhe këtë vit?”ka përfunduar Futre.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit