Jon Jones triumf mes drithërimave ndaj Santos, fitore me vendim jo-unanim

7 Korrik 2019
9:28
Telesport
back button

Jon “Bones” Jones mposhti Thiago Santos me vendim jo-unanim të gjyqtarëve në eventin UFC-239 të zhvilluar sot në Las Vegas, duke mbrojtur titullin kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha 84-93kg). Një fitore e vështirë për Jones, që nuk e pati aspak të lehtë të mposhtë rivalin brazilian, në një sfidë të ekuilibruar, çka u duk edhe nga vendimi i gjyqtarëve.

Dy gjyqtarë i dhanë fitoren Jones, 48-47, 48-47, ndërsa njëri votoi për Santos, po 48-47. Të pestë raundet ishin shumë të fortë, të ngjashëm mes tyre dhe me rivalitet, ku të dy sportistët e meritonin fitoren. Madje edhe barazimi do të kishte qenë i pranueshëm. Jones u largua nga kafazi me titull por i dëmtuar, i mbajtur në krahë nga stafi i tij.

Një sfidë ku raundi i parë ishte më i mirë për Santos, por Jones reagon mirë në të dytin, duke rikthyer ekuilibrat dhe nis të ketë dominimin e kafazit. Edhe në të tretin është amerikani ai që ka epërsinë, ndërkohë që diferencën e pikëzimit e bëjnë dy raundet e fundit.

Santos duket më mirë në raundin e katërt, ndërsa në të pestin Jones bën më shumë detyrën duke kontrolluar rivalin, ndërkohë që grushtet, bërylat e shkelmat nuk munguan në të pestë raundet.

Për Jon Jones ky është suksesi nr.25 në kafaz, ku ka edhe 1 humbje, ndërsa për Santos vjen humbja e 7-të në UFc, ku ka edhe 21 fitore. Gjithsesi, duke parë  këtë sfidë të sotme mund të  ndodhë që të kemi një revansh në vijim.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit