Jonuz iu përgjigjet kritikave të Cungut, mesazh për gjithë trajnerët shkodranë

27 Gusht 2019
12:36
Alfred Lleshi
back button

 Vllaznia e nisi me këmbë të mbarë Superioren, aty ku u kthye pas një viti degdisje një kategori më poshtë. Drejtuesit e klubit kuqeblu ia kanë besuar skuadrën një trajneri me eksperiencë nga Maqedonia e Veriut, por kjo gjë ka bërë disi xhelozë teknikët vendës. Ndoshta në këtë prizëm ishte edhe deklarata e Armando Cungut nga një studio televizive, që kritikoi lojën e zhvilluar nga skuadra shkodrane ndaj Laçit, edhe pse fitoi 1-0. Për këtë, por edhe ndeshjen e radhës ndaj Bylisit, që do të luhet ditën e nesërme, Mirsad Jonuz ka folur në konferencën për shtyp. 

Ndër të tjera, ai nënvizoi: “Dua të jap një mesazh për lojtarët e mi. Ndaj Laçit ishte një fitore e mirë. Pas kësaj ndeshjeje konstatuam se kemi disa probleme të vogla për të zgjidhur. Kemi vetëm dy ditë në dispozicion për stërvitje, por lojtarët janë mirë fizikisht. E kam fjalën për ata që luajtën ndaj Laçit. Edhe lojtarët e tjerë po punojnë normalisht. Dje e kemi pasur pushim, sot do të vazhdojmë punën. Kundërshtari i radhës? E kam parë Bylisin, kemi marrë informacion për të, kemi bërë analizën përkatëse me lojtarët. 

Është një skuadër e mirë, luan me të njëjtin sistem. Besoj se lojtarët e mi do të japin maksimumin. Bylisi ka një mesfushë të mirë, por edhe sulmues cilësorë. Çdo ndeshje do të jetë një eksperiencë e re për ne. Laçi ishte një ndeshje që iku, tani kemi Bylisin. Jam i kënaqur me ekipin, lojtarët po stërviten profesionalisht. Deklarata e Cungut? Është opinioni i tij. Unë kam një mesazh për trajnerët shkodranë, që të vijnë e ta mbështesin skuadrën. Ato janë trajnerë që jetojnë në Shkodër dhe duhet ta mbështesin Vllazninë. Nuk ka rëndësi për mua se çfarë thotë një trajner apo një tjetër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit