Jonuz “kërcënon” Tiranën, jep “sihariqin” e madh për Vllazninë

30 Gusht 2019
12:49
Alfred Lleshi
back button

Nesër, në orën 19:00, në “Loro Boriçi” do të nisë të luhet klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana. Trajneri i kuqebluve, Mirsad Jonuz, ka dalë në konferencë për shtyp, ku i është përgjigjur interesit të gazetarëve. Ai është shfaqur optimist, duke dhënë edhe një lajm të mirë për skuadrën që drejton. Mesfushori Behar Ramadani e ka kaluar dëmtimin dhe është gati të japë kontributin e tij. Mes të tjerash, tekniku nga Maqedonia e Veriut nënvizoi:

“Si profesionist kam luajtur shumë ndeshje derbi. E di se mes Tiranës dhe Vllaznisë është një derbi i përjetshëm, që ka rëndësi shumë të madhe. Pas këtyre dy skuadrave është një histori shumë e madhe e futbollit shqiptar. Gjithmonë ka rëndësi se si përfundojnë këto lloj ndeshjesh. Shoh se po flitet shumë në gazeta dhe media për këtë përballje. Kjo është një gjë e mirë, sepse futbolli në Shqipëri duket në qendër të vëmendjes së njerëzve. Kjo na e shton motivimin për t’u paraqitur maksimalisht në sfidën me Tiranën. 

Futbollistët e mi janë të gatshëm për këtë ndeshje. Disa prej tyre, që kanë luajtur në derbe të tilla, na kanë treguar emocionet që përjetohen në kësi rastesh. Situata ku ndodhemi, me 4 pikë pas dy ndeshjesh, na jep të drejtë të jemi optimistë. Të gjithë bashkë duhet të gëzohemi, kjo do të ishte një atmosferë e shkëlqyeshme. Shpresoj të fitojmë me Tiranën. Një zinxhir prej tri ndeshjesh me shtatë pikë do të ishte shumë mirë. A kemi dëmtime? Skuadra është e gjitha gati, përveç Gligorovit. Unë i gëzohem edhe një fakti tjetër, me ne do të jetë edhe Ramadani. 

A do të ketë minuta për të? Normalisht, ai është një lojtar me rëndësi për ekipin dhe që nga momenti i parë do të ketë hapësira. E ka kaluar dëmtimin, tashmë është në gjendje shumë të mirë. Kjo është një mundësi shumë e mirë për ne, sepse në mesfushë do të kemi hapësirë për zgjidhje më të mira. Pritet një mbrojtës afrikan? Mendoj se është afër fundit e gjithë procedura. Besoj se deri në mbylljen e merkatos do bëhet pjesë e Vllaznisë”. 

    

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit