Jonuz “nuk e llogarit” Skënderbeun, sugjeron ndryshimin e Superiores

28 Shkurt 2020
11:55
Alfred Lleshi

 Nesër, në orën 14:00, në “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja e javës së 24-t të Superiores, Vllaznia-Skënderbeu. Trajneri kuqeblu, Mirsad Jonuz, ka dalë në konferencë për shtyp, duke analizuar situiatën te të tijtë dhe çfarë pret nga dueli i radhës në kampionat: “Ndeshja me Skënderbeun është shumë e rëndësishne për ne. Skuadra vjen pas një fitoreje 4-0 me Luftëtarin. Kam folur pas ndeshjes, duke kritikuar lojtarët dhe sigurisht që kemi punuar gjatë javës për të rregulluar problemet që kemi pasur. Adili nuk do të luajë, as Bardulla, por të gjithë të tjerët janë gati. 

Çfarë të them për Skënderbeun. Është një skuadër e mirë, që luan futboll të pastër. Ka sulmues të mirë dhe çdo herë luan me pasime. Jemi përballur dy herë me Skënderbeun dhe besoj se edhe këtë radhë do të zhvillojmë një ndeshje të mire, do të marrim fitoren. Dua të flas pak për klasifikimin në Superiore. Me një fitore ndaj Skënderbeut, Vllaznia do të ngjitej në renditje, më pas kemi dy ndeshje të tjera shumë të rëndësishme. Këto ditë kemi patur probleme me fushën dhe pak shqetësime fizike, por besoj se nesër gjithçka do të jetë më mirë. Disa lojarë duhet të kenë kujdes, sepse kanë kartonë të verdhë. Pas seancës së fundit do të vendos për 11-shen që do të zbresë në fushë. 

Ndryshimi i orarit të fillimit të ndeshjes? Për mua është e njëjta gjë. Shumë ndeshje i kemi humbur për gabime individuale, por këto janë probleme të kaluara për mua. Nuk mendoj se për të shmangur vendin e tetë janë në garë vetëm Vllaznia dhe Skënderbeu, shoh edhe skuadra të tjera. Aty janë Laçi, Bylisi, Teuta…, dy-tri pikë nuk përbëjnë ndonjë diferencë të madhe. Ne luajtëm shumë mirë në ndeshjen e fundit në Korçë dhe morën tri pikë shumë të rëndësishme jashtë. Skënderbeu është në të njëjtën pozitë, siç ishte asokohe Vllaznia. 

Kampionati përfundon më 15 maj dhe gjithçka mund të ndodhë deri atëherë. Kemi një grup shumë të mirë. I kemi bërë analizat e humbjeve me Tiranën dhe Teutën, besoj se këta lojtarë do të japin maksimumin kundër Skënderbeut. Kampionati me 14 skuadra? Do të ishte mirë për skuadrat shqiptare, sepse futen skuadra të tjera të mira në Superiore, si Kastrioti, Pogradeci, Apolonia apo Besëlidhja. Nuk është problem për Vllazninë, sepse normalisht qëndron në Superiore. Ndeshje pas ndeshjeje, Vllaznina do të vijojë të luajë mirë dhe do të marrë pikë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit