Jonuz: Vllazni duhet të luajë futboll, edhe nëse humb 5-0…

7 Nëntor 2019
13:45
Alfred Lleshi
back button

Pa dy ndeshjet (humbjet) e fundit, ecuria e Vllaznisë në këtë kampionat ka qenë befasuese dhe mbresëlënëse. Trajneri Mirsad Jonuz ka marrë meritat për këtë, duke pasur parasysh kontigjentin e lojtarëve që ka në dispozicion dhe faktin se skuadra shkodrane rikthehej në Superiore pas një viti në një kategori më poshtë. Disfatat radhazi me Laçin në transfertë dhe ajo me Bylisin në shtëpi kanë krijuar panik, por edhe zhgënjim në kryeqendrën e veriut. Në prag të klasikes së futbollit shqiptar me Tiranën, që do të luhet nesër në “Selman Stermasi” e boshatisur nga tifozët, Jonuz është munduar të karikojë të tijtë. 

Ai nuk do të jetë në stolin kuqeblu, për shkak se është dënuar dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. Sidoqoftë, do të gjejë mënyrën për ta pasur dorën e tij të zgjatur në fushën e blertë, nga distanca. Në konferencën për shtyp, boshnjaku nënvizoi: “Duhet të bëjmë çdo gjë për ta kaluar këtë situatë ku jemi futur. Për mua është mëkat që do të luajmë pa tifozë. E njoh mirë Tiranën. Edhe ata kanë ndryshuar trajner dhe mënyrën e lojës. Të gjithë në Shqipëri e njohim mirë njëri-tjetrin, sepse faza e parë ka përfunduar, jemi përplasur nga një herë. Kam biseduar ditët e fundit me lojtarët e mi në lidhje me dy ndeshjet e kaluara. U kam kërkuar që të mos dekurajohen, por të luajnë edhe më fort. Është krejt normale që skuadrat e futbollit të kenë luhatje. Kjo është krizë rezultatesh, por jo e gjendjes fizike të lojtarëve. 

Si skuadër luajmë më mirë jashtë, ndaj do të përpiqemi të marrim pikë edhe ndaj Tiranës. Lojtarët duhet të përqendrohen vetëm te futbolli dhe gjendja e tyre sportive, askund tjetër. Në këtë situatë, përballja me Tiranën është një sfidë shumë e madhe për lojtarët e mi. Besoj se janë të gatshëm që, pas dy humbjeve të fundit, të reagojnë. Kërkoj prej tyre të japin gjithçka nga vetja. Nga ana tjetër, u dërgoj një mesazh tifozëve. Kur jemi në vështirësi, atëherë duhet të na përkrahni më tepër. Për ndeshjen e radhës kthehet Gurishta, Ramadani dhe Hygor. Kur të mungojnë kaq shumë lojtarë, është e vështirë për cilëndo skuadër. 

Tani e tutje do të vazhdojmë të përqendrohemi vetëm te ndeshjet. Nga sot nuk do të bëjmë asnjë koment ndaj vendimeve të federatës apo të arbitrave. Këto gjëra do t’ia lëmë personelit drejtues të klubit. Puna jonë është të stërvitemi fort dhe të reagojmë në fushë. Të gjithë duhet të qetësohemi nga pak e të përqendrohemi në fushën e lojës. Këto lojtarë kanë fituar 15 pikë, këta do të bëjnë mire edhe në vazhdim. Diçka më ka hyrë në kokë pas ndeshjes me Bylisin, se mund të bëjmë edhe më mirë se deri tani. Nuk është situata e parë që kaloj në përvojën time si trajner. Nga situata të tilla, bashkë me skuadrat që kam drejtuar, kam ditur të gjej rrugëdalje. 

Formacioni? Të shohim se cilët lojtarë do të luajnë titullarë ndaj Tiranës. Kemi disa prej tyre me dy apo tre kartonë të verdhë. Kampionati nuk përfundon pas ndeshjes me Tiranën, duhet t’i bëjmë disa llogari, ndaj mos më pyesni për formacionin e nesërm. Mungesa ime në pankinë, pas dënimit të Disiplinës? Para ndeshjes do ta përgatisim skuadrën. Marrëdhënia ime me ndihmësit është e ngushtë. Do të jemi në njëlloj kontakti gjatë lojës. Mendoj se edhe në këto kushte, lojtarët e dinë se çfarë kërkoj unë dhe do të dinë si të reagojnë në varësi të situatave.

Në këto momente, më e rëndësishmja është mbështetja prej të gjithëve, edhe nga ju gazetarët e Shkodrës. Qasja pozitive e kujtdo do të na ndihmojë të dalim nga kjo situatë. Nuk po flas për stresin psikologjik të lojtarëve, por kur na sulmon skuadra kundërshtare kemi probleme. Duhet të gjejmë zgjidhje dhe ta heqim nga koka këtë lloj frike. Lojtarët nga Shkodra ta heqin nga vetja kompleksin e inferioritetit. Kam biseduar me lojtarët e mi. U kam thënë luani futboll, edhe nëse humbni 5-0. Vllaznia duhet të luajë si në ndeshjet e mëparshme dhe do të ketë sukses”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit