Jorginho driblon me diplomaci “Topin e Artë”: Endrrën tjetër e realizoj… dimrin e vitit 2022

26 Tetor 2021
15:02
Alfred Lleshi
back button

2021 ishte një vit fantastik për Jorginho, falë titujve evropianë të fituar me Italinë dhe Chelsea. Për më tepër, ish-mesfushori i Napolit është ndër favoritët për “Topin e Artë” të këtij viti. Një objektiv që disa vite më parë dukej i pamundur as të imagjinohej, por tashmë është i arritshëm.

“Unë nuk di asgjë, aq më shumë të pyes se kush e fiton. Sinqerisht, nuk e di cili është favoriti, por nëse ndalon së ëndërruari nuk ka kuptim të luash futboll. Do të ishte një ëndërr, kush nuk e ka ëndërruar atë çmim prestigjioz?” – thotë mesfushori italo-brazilian për mikrofonat e “Sky Sport”.

– Kur isha fëmijë nuk e mendoja kurrë se do të arrija kaq larg, por ëndërroja të bëhesha futbollist profesionist. Jam i lumtur me çfarë kam arritur, kam bërë krenare familjen time. Edhe një ëndërr tjetër mund të realizohet në dimër të vitit 2022”. Mesfushori, kampion i Europës, sigurisht i referohet Botërorit 2022 në Katar.

Më pas, Jorginho foli për Chelsea dhe trajnerin Tuchel: “Ne jemi në rrugën e duhur, po punojmë shumë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, pa bërë llogari largpamëse. Në futboll duhet t’i merrni ndeshjet një e nga një. Sa më shumë punoni së bashku, aq më tepër e kuptoni se çfarë duhet të bëni”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit