Joshua rikthehet te fitorja, boksierët grushte e sherr edhe pas përfundimit të duelit

2 Prill 2023
0:30
Telesport
back button

 

Boksieri britanik Amnthony Joshua mposhti sot me vendim unanim të gjyqtarëve rivalin amerikan Jermaine Franklin, duel i zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës. Joshua, ish-kampion bote në peshën e rëndë, u rikthye te fitorja pas dy humbjeve të pësuara ndaj Oleksandr Usyk, duke korrur fitoren nr.24 në karrierë (ka edhe 3 humbje).

Ndërsa për Franklin kjo është humbja e dytë radhazi dhe e dyta në total në karrierë, ku numëron edhe 21 fitore. Një duel me 12 raunde para 15 mijë shikuesve, që në përgjithësi u komandua e fitua me meritë nga 33-vjecari britanik, që thuajse i fitoi të gjitha raundet. Të tri gjyqtarët i dhanë atij fitoren: 118-111, 117-111, 117-111.

Joshua, më i etur për fitore dhe për të treguar se karriera e tij nuk ka përfunduar, mori që në fillim të duelit komandën, duke goditur fort amerikanin. Franklin në fillim u mbrojt mirë, por me kalimin e raundeve nisi të lodhet dhe nuk kishte forcën e duhur për të replikuar dhe kundërpërgjigjur. Për pasojë, Joshua e pati nën kontroll sfidën.

Britaniku kërkoi një fitore me KO, por nuk ia doli dot mbanë edhe pse e kishte vazhdimisht inisiativën. Duket se Franklin dëshironte një humbje me nder, duke replikuar pak dhe nuk kishte forcën për të mundur Joshua, që falë shtatlartësisë jepte edhe goditje nga larg. Si përfundim, një fitore e merituar e Joshua, që rikthehet protagonist dhe synon sërish titujt.

Interesant fakti se sfida u mbyll me një sherr mes dy boksierëve dhe u desh ndërhyrja e forcave të sigurisë dhe stafeve përkatëse që të ndanin dy boksierët, që godisnin njëri-tjetrin edhe pasi mbaroi koha e rregullt e raundit të 12-të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit