Ju njohim me Messin e parë, kur goli iu kthye në makth te Barcelona

26 Mars 2020
9:10
Alfred Lleshi
back button

Gola me bollëk, nga rekordi në rekord, duke luajtur si kampion. Lionel Messi na ka mësuar të gjithëve me kësi ecurie, për vite me radhë, por në fillim te Barcelona, muzika nuk ishte saktësisht e njëjtë. Nëse e shikojmë përmes statistikave sezonale, kampioni argjentinas rezulton se në 4 vitet e para me katalanasit nuk i ka pasur standardet e tij të zakonshme. 

Thjesht mendoni se “Pleshti” nga 2008-2009 nuk ka rënë asnjëherë nën 20 gola për sezon, ndërsa nga 2004-2005 deri më 2007-2008 e arriti shifrën dyshe vetëm në dy sezone. Me Frank Rijkaard në stol, Leo bëri debutimin e tij te Barça në tetor 2004, pasi bëri procesin e kolaudimit në ekipin B. Trajneri holandez vendosi ta aktivizojë atë gjerësisht nga e djathta, si pjesë e “tridentit” ofensiv.

Një pozicion larg portës kundërshtare, në krahasim me atë të “9 false”, ku Pep Guardiola e akomodoi më vonë, që nga ardhja e tij më 2008. Nën menaxhimin e Rijkaard, Messi regjistroi këto statistika sezonale:
7 ndeshje – 1 gol në sezonin 2004-2005;
17 ndeshje – 6 gola në sezonin 2005-2006;
26 ndeshje – 14 gola në sezonin 2006-2007;
28 ndeshje – 10 gola në sezonin 2007-2008.

Sikurse duket, fillimet e tij nuk kanë qenë bombastike në raport me golin, por Messi është Messi dhe disa numra nuk mund t’ju lënë indiferentë. Sidomos nëse ke parasysh se vetë argjentinasi, në një intervistë të fundit për DAZN, pranoi “marrëdhënien konfliktuale” me golat: “Unë nuk isha lojtar me shumë gola. Në ekipin e të rinjve, po. Veçanërisht kur arrita në ekipin e parë, në fillim e pata të vështirë. Kam gabuar para portës, ose kam qenë i pafat… 

Mbaj mend që Eto’o më tha: dita kur të filloni të shënoni do të jetë fundi i këtij bllokimi… Kam pasur shumë shanse, por nuk arrita të shënoja. Një ditë u zhbllokova dhe topi filloi të hynte rregullisht në rrjetë. Si fëmijë, gjithmonë kam shënuar gola, si në Argjentinë, ashtu edhe në ekipin e të rinjve të Barcelonës. Nuk shënova disa vite në ekipin e parë dhe më pas u zhbllokova”.

Dhe në fakt Eto’o kishte të drejtë: që nga epoka e Guardiolës e tutje, Messi i ka shkatërruar mbrojtjet kundërshtare, ka fituar tituj dhe ka dizajnuar futboll cilësor. Metamorfoza e Leos ka qenë në fushë dhe në mendje. Ai u bë përherë e më shumë një lojtar i zgjuar, që prodhon gola dhe asiste nga hiçi…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit