Juninho, gjeniu i goditjeve të dënimit do të bëhet gjeniu i merkatos

17 Maj 2019
16:53
Denis Hakanaj
back button

"Me topin bënte atë që donte, nuk gabonte kurrë, dukej si një dirigjent që e drejtonte orkestrën e tij me këmbë dhe jo me duar". Më këto fjalë e ka përshkruar dikur Andrea Pirlo ish-yllin e Lyon, Juninho Pernambucano.

Megjithatë, braziliani nuk e ka frymëzuar regjisorin e Italisë kampione të botës vetëm për aftësitë e tija si mesfushor, por edhe për ekzekutimin perfekt të goditjeve të dënimit. 

Ai ka shënuar 100 gola në 8 sezone me Lyon-in dhe 44 prej tyre kanë ardhur nga goditjet standarde. Një shifër e lartë. Tani duket gjithçka gati për një kthim te "Olympique", por si drejtues. Sipas "L'Equipe", Juninho do të bëhet shpejt drejtori sportiv i klubit të Aulas, duke marrë vendin e Christophe Toni.

Lyon, që mban vendin e tretë në Ligue 1 kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, ka vendosur të fillojë një proces rinovimi. Në fakt, përveç drejtorit sportiv, mund të ndryshojë edhe trajneri. 

Lajmi i kthimi të Juninhos ka entuziazmuar tifozët. Fanella e tij numër 8, e veshur në 344 ndeshje me Lyon, është legjendare nga ato anë. Bashkë me kampionë si, Benzema, Wiltord, Govou dhe Abidal, ai ka kontribuuar në pasurimin e koleksionit të trofeve të klubit me 7 kampionate dhe 2 Kupa të Francës. 

Nuk ka pasur të njëjtin fat me Brazilin. Nuk është grumbulluar për Kupën e Botës 2002 dhe për Kupën e Amerikës 2004 (të fituara nga Seleçao), duke qenë i detyruar të kënaqet me fitoren e Kupës së Konfederatave në 2005-ën.

Një njollë e vogël në një karrierë të nivelit të lartë, gati të zgjatet nga mbrapa tryezës. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit