Juve denoncoi tifozët e vet, arrestohen dhjetra ultras për zhvatje dhe dhunë

16 Shtator 2019
10:00
Alfred Lleshi
back button

Policia zhvilloi një operacion blic në Torino, mëngjesin e sotëm. Drejtuesit dhe referentët kryesorë të grupeve ultras të bardhezinjve u arrestuan si pjesë e një hetimi të koordinuar nga prokuroria e Torinos, e cila lëshoi urdhër ndalimi për 12 prej tyre. Akuzat kundër ultrasve të Juventusit janë të ndryshme, si krijimi i organizatave kriminale, zhvatje, pastrim parash dhe dhunë fizike. Dhjetëra të tjerë po kërkohen, gjithashtu, në qytete të ndryshme italiane. 

Hetimi përfshin të gjitha grupet kryesore të mbështësve të organizuar bardhezinj, si “Drughi”, “Tradizione-Antichistickes”, “Viking”, “Nucleo 1985” etj. Përveç drejtuesve të akronimeve të ndryshme, në hetim janë përfshirë edhe 40 subjekte të tjera, të gjitha të dyshuara për aktivitet joligjor. Ato janë referentë të grupeve të lartpërmendura në qytete të ndryshme italiane dhe të përfaqësues të “Nab” (bërthama e armatosur e Juventusit). 

Kërkimet policore janë duke u zhvilluar jo vetëm në qytete të ndryshme të Piemonte (Alessandria, Asti, Biella), por edhe në Como, Savona, Milano, Genoa, Pescara, La Spezia, L’Aquila, Firence, Mantua, Monza dhe Bergamo. Në orën 11:30 është caktuar një konferencë për shtyp në Torino, gjatë së cilës do të dalin detajet e hetimit, që çuan në arrestimet e këtij mëngjesi. Paraprakisht mësohet se drejtuesit e grupeve ultrtas të Juventusit kishin ndërmarrë një strategji kriminale për të shantazhuar Juventusin, pasi ky i fundit vendosi të ndërpresë një seri privilegjesh për ta. 

Hetimi zgjati mbi një vit dhe filloi nga një ankesë e drejtuesve bardhezinj. Klubi kishte marrë masa për të mos lejuar hyrjen në stadium të shumë prej tyre, për sjellje të dyshimtë, ndërsa kundërpërgjigja e ultrasve ishte e ashpër. Ata kërcënonin se, nëse nuk do të merrnin bileta, atëherë do ta heshtnin stadiumin me mënyrat e tyre. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit