Juve nuk dorëzohet, Pirlo: Me Interin do të jetë një luftë e gjatë…

3 Mars 2021
9:04
Alfred Lleshi
back button

Juventusi kapërceu pengesën Spezia në kampionat, duke u vendosur në ndjekje të Milanit dhe Interit. Pra, nuk dorëzohet në garën për titull. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, sidomos deri në hyrjen në fushë të Bernardeschi dhe Morata. Më pas, “Zonja e Vjetër” gjeti forcën për të ndryshuar ingranazhet dhe marrë tri pikët. Andrea Pirlo, i intervistuar nga “Sky”, komentoi performancën e lojtarëve të tij:

“Ishte lodhja, që na ndaloi në pjesën e parë. Të luash shumë ndeshje me të njëjtët lojtarë, gjatë gjithë kohës, nuk të lejon të jesh shkëlqyeshëm. Ne u përpoqëm të menaxhonim lojën, duke tentuar hapësirat që kundërshtari na la dhe në fakt, edhe në fraksionin e parë kemi pasur disa mundësi. Në pjesën e dytë, me zëvendësimet dhe një freski më të madhe, mundëm të shtynim më shumë përpara.

Të gjithë po përpiqen të rikuperohen dhe ne shpresojmë që në ditët e ardhshme, dikush nga të dëmtuarit të jetë në gjendje të kthehet. Sot, edhe De Ligt ndaloi, pasi kishte marrë një goditje kundër Veronës. Do ta vlerësojmë atë në ditët në vijim. McKennie? Nuk është mirë, por fatkeqësisht duhet të luajë, sepse jemi të limituar. Ai arrin të luajë rreth 50 minuta, pastaj dhimbja i kthehet. E tregon në vrapim dhe në pasim, ku nuk është më aq i shkëlqyer. De Ligt kundër Portos? Nuk tingëllon serioze, por ne do ta vlerësojmë nesër. Le të shpresojmë se nuk është diçka që e detyron atë të humbasë ndeshjet e ardhshme.

Morata është thelbësor për ne, e morëm për cilësitë që ka. Ai di të sulmojë thellësinë, di të luajë me ekipin dhe të shënojë. Tani shpresojmë që të kthehet në majë për një kohë të shkurtër. Fitorja erdhi falë zëvendësimeve? Pa dëmtimet, ne do të kishim një stol të shkëlqyeshëm, por fatkeqësisht tani jemi në situatë delikate. Do të donim të bënim më shumë rotacione për të pasur edhe më shumë energji.

Ne duhet të përmirësohemi në gjithçka, por gjëja e rëndësishme tani është të rimarrim energjinë fizike dhe mendore. Interi? Jemi larg në nivele pikësh. Ata kanë luajtur së bashku për dy vite dhe kanë një lojë të testuar mirë, e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Kemi filluar një rrugë të re këtë vit, por jemi atje dhe do të luajmë deri në fund për titullin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit