Juve tentoi ta shesë kundër dëshirës, Dybala zgjedh mes Allegri dhe Sarrit

8 Tetor 2019
22:36
back button

Pasi u rikthyer protagonist falë golit në derbin e Italisë ndaj Inter, fituar 1-2 nga “Zonja e Vjetër”, Paulo Dybala deklaroi se ai nuk dëshironte aspak të largohej nga Juventus gjatë merkatos së verës, pavarësisht se i shkoi shumë pranë transferimit larg Torinos, me Tottenham dhe Manchester United shumë të interesuara për argjentinasin.

Futbollisti i përfaqësueses së Argjentinës u hodh në shitje nga bardhezinjtë kundër vullnetit të tij, para fillimit të sezonit 2019-20, por pretendimet ekonomike të sulmuesit rezultuan shumë të larta që të plotësoheshin nga dy ekipet e Premier League, të cilat dështuan në misionin e tyre për të “rrëmbyer” Dybalan.

“Nuk ishte një verë e lehtë. Nuk është një gjë e këndshme të dëgjosh emrin tënd që lakohet në çdo klub dhe vend të mundshëm ku nuk dëshiron të shkosh. Por ky është futbolli, ndonëse që para fillimit të merkatos kisha deklaruar hapur se nuk doja të largohesha”, tregoi 25-vjeçari.

“Mendoj se ishte më e rëndësishme të lejoja fushën të fliste, ndonëse deri ditën e fundit, askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Unë doja të qëndroja, doja të luaja këtu dhe të vazhdoja karrierën te Juve. Mendoj se kam akoma shumë për të dhënë dhe një sinjal të kësaj e shfaqa edhe ndaj Inter”, vijoi Dybala.

“Tashmë ndjej më pak peshë mbi shpatulla dhe jam shumë i qetë psikologjikisht. Isha i bindur se me Sarrin do të nisja të zbavitesha, të punoja dhe provoja që vlej. Kjo është ajo që po tentoj të bëj. Sarri dhe Allegri kanë mënyra të ndryshme loje dhe kjo duket. Me Allegrin ne bënim shumë gjëra, por mendoj se me Sarrin ne luajmë më shumë në sulm dhe e mbajmë më shumë topin”, komentoi ylli argjentinas.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit