Juventus dhe Interi, sfidë në distancë dhe direkt për Champions-in dhe… Kupën e Italisë

1 Prill 2023
10:07
Alfred Lleshi
back button

Serie A fillon përsëri dhe tani është e gjitha një ngjitje, që duhet bërë me një frymë. Interi dhe Juve inaugurojnë javën e radhës në kampionatin italian, por mbi të gjitha nisin një prill që do të jetë shumë i vështirë për të gjithë dhe vendimtar si për Champions League, me katër vendet e para që do të pushtohen, ashtu edhe për Kupën e Italisë, me gjysmëfinalen e së martës pranë, në stadiumin “Allianz”.

Një sfidë në distancë, e cila nis sot në orën 18:00 me ndeshjen mes zikaltërve dhe Fiorentinës në “San Siro” dhe ndeshjen e Torinos midis bardhezinjve dhe Verona, dhe vijon me një ndeshje direkte, pengesa e parë e madhe në finalen e një sezoni që do të masë vlerat dhe do të modifikojë gjykimet.

INTER-FIORENTINA
Sprova e parë pritet nga zikaltrit, të rikthyer nga dy humbje radhazi në kampionat (Spezia dhe Juventus) dhe të zhytur në një luftë të Champions League që dukej se arkivohej lehtësisht. Në vend të kësaj, dy ndeshjet e fundit e kanë ngatërruar renditjen dhe kartat, me Interin që u parakalua nga Lazio dhe zbriti në vendin e tretë.

Mbi të gjitha me Juventusin, i cili në pritje të vendimit final për dënimin me -15 pikë, ka vendosur sërish në shënjestër vendin e katërt, pronë e Milanit sot për sot. Distancat e reduktuara nuk lejojnë më gabime dhe, siç tha Simone Inzaghi, do të duhet versioni më i mirë i Interit të tij.

Po, sepse Fiorentina është aktualisht një nga kundërshtarët më pak komod për t’u përballur (katër fitore radhazi në Serie A) dhe Interi, përkundrazi, do të duhet të masë forcat për të mos mbërritur i shfryrë për ndeshjen e kupës kundër Juves. Dy sprova, që do të jenë “paradhomë” për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve kundër Benfica dhe një fundi sezoni shumë të vështirë.

Kundër vjollcëve, Inzaghi do të duhet të bëjë pa të dëmtuarin Calhanoglu dhe do të detyrohet “të pastrojë pluhurin” nga Brozovic, me sulmuesin surprizë Correa, i cili mund ta lejojë Lautaron të marrë frymë dhe të mbështesë Lukakun.

Nuk ka surpriza në horizont për Fiorentinën: qendërsulmues do të jetë Cabral, pas tij do të lëvizin Ikone, Bonaventura dhe Saponara. Krahasuar me zakonisht, pankina e zikaltërve, e zbrazur nga mungesat e Calhanoglu, Skriniar dhe Dimarco, do t’i lejojë Inzaghit më pak rotacione.

JUVENTUS-VERONA
Situata e Juventusit është shumë e ndryshme. Para së gjithash sepse kundërshtari, Verona, është padyshim më pak i rrezikshëm se Fiorentina. Pastaj, në fund të fundit, bardhezinjtë nuk kanë asgjë për të humbur. Nëse ata do të rifitonin 15 pikët e penalizimit, të besuarit e Allegrit do ta gjenin veten të katapultuar në vendin e dytë me një epërsi diskrete ndaj ndjekësve të tyre.

Ndryshe, duke pasur parasysh ecurinë e ngadaltë të rivalëve të tyre, ata do të ishin ende në garë për të arritur një kualifikim të bujshëm në Ligën e Kampionëve të ardhshëm. Krahasuar me Inzaghin, Allegri do të jetë në gjendje t’iu japë pushim disa lojtarëve.

Vlahovic do të pushojë në sulm, me Kean që do të bashkohet me Milik, i cili kthehet nga dëmtimi. Në prapavijë, shans i ri për Gatti, me Bremerin dhe Danilon, ndërsa mesfusha do t’iu besohet “adoleshentëve” Fagioli dhe Barrenechea. Fillimisht në pankinë Di Maria dhe Cuadrado, të cilët me siguri do të ruhen për të martën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit