Sfida e luajtur dje mes Juventus dhe Inter në Serinë A, vendimtare vetëm për bardhezinjtë, ka qenë një nga më të diskutuarat për sa i takon arbitrimit.
Në fund të ndeshjes, arbitri Calvarese është mbuluar nga kritikat për vendimat e marra gjatë derbit të Italisë.
Një nga këto kritika ka ardhur nga ana e gazetarit të njohur italian Enrico Mentana, i cili është edhe një tifoz i Inter-it.
“Nuk e diskutoj rezultatin, por arbitrimi nuk mund të kalojë në heshtje. Një drejtim i ndeshjes i mbushur me gabime, kundër interesit të të dyja skuadrave”, ka shkruar Mentana në rrjetet sociale.
“Nuk ka parë dy penallti dhe e ka korrigjuar VAR, ka anuluar një gol të vlefshëm dhe VAR e ka shpëtuar përsëri. Ka dhënë një karton të dytë të verdhë për një faull që nuk ishte (i referohet rastit të Bentancur). Të gabosh për tre penallti nga tre dhe për një karton të kuq nga dy është një rekord, shpresojmë të mos thyhet”.