Edhe pse vizitat mjekësore treguan se sulmuesi Federico Chiesa nuk ka asnjë dëmtim të rëndë, sërish gjuri shqetëson yllin e Juventus. Për këtë arsye, 25-vjeçari do të udhëtojë të hënën për në Austri. Sipas “Gazzetta Dello Sport”, sulmuesi do të kryejë një tjetër konsultë për të kuptuar këto shqetësime në gju.
Shqetësime që mbajnë në ankth edhe Juventus, ndaj dhe po mendohet për një analizë akoma më të detajuar në një klinikë në Innsbruck, tek i njëjti mjek që e operoi në vitin 2022. Duket se “drita në fund të tunelit” duket ende larg për Chiesa, që nuk po luan rregullisht për shkak të këtyre shqetësimeve.
Që kur është rikthyer të stërvitet me skuadrën, Chiesa nuk ka qenë ai i mëparshmi, nuk ka qenë kurrë në 100% të formës. Për pasojë, ai ndodhet ende në infermieri dhe nuk ka ende një datë të saktë se kur mund të rikthehet. Shumë gjëra do të varen nga konsulta e së hënës në Austri.