Juventusi i mohoi Champions-in, Ancelotti e do në Premier League

18 Janar 2020
9:43
Alfred Lleshi
back button

Pas një pjese të parë shumë të komplikuar të sezonit, e përbërë nga kaq shumë pankina dhe pamundësia për të luajtur në Champions, Emre Can mund të rimarrë vëmendjen e duhur, duke u bërë një nga protagonistët kryesorë të merkatos së dimrit. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, në të vërtetë, negociatat mund ta dërgojnë mesfushorin gjerman tek Everton, skuadra angleze që sapo përfundoi në duart e trajnerit Carlo Ancelotti.

Te Juve po flasin për një ofertë nga “Toffees”, që do t’i siguronte një fitim të jashtëzakonshëm kapitali, duke pasur parasysh që, përveç të tjerash, Emre Can zbarkoi falas te bardhezinjtë në verën e vitit 2018. Vetë lojtari e sheh kalimin në skuadrën e Ancelotti si mundësi për të luajtur vazhdimisht. Vetëm kështu do të ketë shanse për të bindur Joachim Low, që ta grumbullojë me Gjermaninë në “Euro 2020”. Emre Can e di se bashkëjetesa në Torino, me Maurizio Sarri, është e pasigurt dhe se nuk ka mundësi të mëdha për të ngjitur pozicione në hierarkitë teknike. 

Interesimi i Ancelotti e bën atë jashtëzakonisht të lumtur. Evertoni nuk është gati vetëm të bindë Juventusin me një ofertë të rëndësishme financiare, por edhe ta kontraktojë lojtarin deri më 2025, me pagë edhe më të mirë se merr në Torino (5 milionë euro, plus bonuse të tjera, deri më 2022).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit