Juventusi “kanibal”, askush në Europë me ritmin e skuadrës së Sarrit

16 Tetor 2019
14:12
Alfred Lleshi
back button

Nëse ata që e fillojnë mirë kanë bërë gjysmën e punës, Juventusi duket në rrugën e duhur. Kampionët e Italisë janë të vetmit mes emrave të mëdhenj në Europë, që nuk e njohin shijen e humbjes. Pra, mbeten të pamposhtur në këtë sezon futbollistik. Të gjitha skuadrat e tjera më të mira të kontinentit, që luajnë në Champions, e kanë humbur të paktën një ndeshje.

Nëse analizojmë vetëm kampionatin përkatës, Juventusi nuk është i vetmi që nuk ka humbur asnjëherë në ligat kryesore europiane. Janë edhe Liverpool, Real Madrid dhe Wolfsburg, skuadrat ende të pamposhtura në kampionatet e tyre respektive. Nëse marrim për bazë të gjitha garat, situate ndryshon. “Reds” nuk e njohin humbjen në Premier League për këtë sezon (8 fitore në 8 ndeshje), por në Champions u mposhtën nga Napoli. 

Të bardhët e Zidane po e udhëheq La Liga-n të pamposhtur deri më tani (5 fitore dhe 3 barazime), por u mundën nga PSG në ndeshjen e parë të fazës në grupe të Ligës së Kampionëve. Vetëm Wolfsburgu, me 6 fitore dhe 4 barazime, mund të qëndronte në lartësinë e “Zonjës së Vjetër”, por gjermanët luajnë në “Europa League”, jo në Champions, ndaj karahasimi çalon disi kur vjen puna për të përfshirë në llogari angazhimin europian.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit