Juve-Ronaldo, si një “rrul” që shtyp çfarë i del përpara… Radhën e ka Napoli!

23 Janar 2020
15:41
Alfred Lleshi
back button

Muaji janar ka nxjerrë në pah një Juventus mbizotërues dhe të vazhdueshëm. 5 ndeshje, 5 fitore dhe 13 gola të shënuar; këto janë numrat e frikshëm të bardhezinjvenë këtë start të vitit 2020. Pas pushimit, ritmi dhe temperatura e lojës sigurisht që janë përmirësuar, madje distanca midis incidencës së lojtarëve më të mirë dhe cilësisë së manovrës si grup duket se është zvogëluar. Gjithçka është më e lëmuar, e njëtrajtshme, efektive. 

Sigurisht, nuk mund të anashkalohet fakti që Ronaldo po e udhëheq “Zonjën e Vjetër”. Golat e tij të pandalshëm janë çelësi i suksesit të kampionëve italianë. Portugezi ka rifituar rolin shumë të çmuar të zhbllokuesit të ndeshjeve me një ritëm të tillë, që nuk e kishte qysh nga koha e tij me Ancelottin në stolin e Real Madridit. Trajneri i njohur italian, asokohe thoshte për yllin e vet: “Me Ronaldon në fushë i fillojmë gjithmonë ndeshjet 1-0”.

Janë disa skuadrat italiane radhazi, që kanë provuar këtë periudhë fuqitë “vrastare” të CR7 në sulm. Luzitani nuk ka munguar në apelin e golave në Serie A dhe Kupën e Italisë, nuk ka preferuar të bëjë pushim, sepse 34 vitet mbi supe për të nuk peshojnë as sa 24 të tilla. Fundja, ka punuar përditë me fizikun dhe trupin e tij për të qenë një përjashtim nga rregulli, ligjet e natyrës dhe shkencat mekësore… në këtë drejtim. Radhën e ka Napoli për të provuar në kurriz “bëmat” e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, i cili po mahnit si në rininë dhe kulmin e vet. 

Nëse i thotë “stop” një  “monstruozi” të tillë të golit, këtë fundjavë, me siguri e ka fituar “titullin” e vet. Gattuso dhe të tijtë janë thirrur në fushë-betejë, vetëm pak ditë pasi eliminuan Lazio, sfidantin e vetëm që i ka hidhëruar dy herë bardhezinjtë në këtë sezon: një herë në Serie A dhe herën tjetër në finalen e Superkupës së Italisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit