Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se qendra ku do të qëndrojë skuadra kuqezi përgjatë finaleve të turneut quhet “SportCentrum Kaiserau”, një kompleks nga më të mirët në Gjermani për ekipe sportive, në afërsi të Dortmundit.

Qendra stërvitore është e specializuar për grumbullime dhe faza përgatitore të skuadrave dhe ka eksperiencë të pasur, pasi aty janë grumbulluar për faza përgatitore apo turne në të kaluarën ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si Bayern Munich, Real Madrid, Liverpool, Porto, Borusia Dortmund, Shalke 04, Valencia, Atletic Bilbao, Udinese, Legia Varshavë, Borusia Munchengladbah, Verder Bremen, RB Lajpcig, Eintraht Frankfurt, Volfsburg, Union Berlin, Fortuna Dyseldorf, Roda Kerkrade, Standard Liezh, Los Angelos Galaxy, SC Paderborn, Shtutgart, Hamburger, Bohum, Arminia Bielefeld dhe Dinamo Dresden.

24 orë para çdo ndeshjeje, ekipi kombëtar do të transferohet në qytetin ku do të luhet dhe pastaj do të kthehet në kampin bazë për të vijuar përgatitjet. Bëhet fjalë për një qendër ekselence sportive që ofron të gjitha kushtet e duhura, duke përmbushur kërkesat e stafit teknik. Trajneri Sylvinho dhe stafi i FSHF-së vizituan dy ditë më parë lokacionet e sugjeruara nga UEFA dhe më në fund, pas një pune këmbëngulëse, arritën të sigurojnë shërbimet e kësaj qendre stërvitore.

Kampi bazë i Shqipërisë është përzgjedhur në një lokacion që ka pranë 6 prej 10 stadiumeve që do të presin ndeshjet e turneut. Shorti i 2 dhjetorit e pozicionoi Shqipërinë në Grupin B me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

Kombëtarja kuqezi do ta luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e Dortmundit, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin e Hamburgut. Ndeshja e tretë e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Düsseldorf Arena”.