Kacafytja mes Lloris dhe Son, çudit Mourinho: Ishte bukur, fajtori jam unë…

7 Korrik 2020
10:33
Alfred Lleshi
back button

Përplasja e ashpër verbale, gati edhe fizike, mes Lloris dhe Son ishte “e bukur”. Të paktën kështu pretendon trajneri i tyre te Tottenham, Mourinho. Skena e nxehtë ndodhi gjatë fitores 1-0 të “Spurs” ndaj Everton, të hënën. Portieri dhe sulmuesi duhej të ndaheshin nga shokët e skuadrës, Giovani Lo Celso dhe Harry Winks, pasi francezi tregoi agresivitet të dukshëm ndaj koreano-jugorit. Dyshja i zgjidhi mosmarrëveshjet gjatë pushimit, mbas pjesës së parë, kur “Spurs” po kryesonin 1-0, me autogolin e vetëm të ndeshjes, të shkaktuar në minutën e 24-t nga Michael Keane.

Lloris pranoi pas ndeshjes se zemërimi i tij erdhi nga mungesa e shpirtit të garës së bashkëlojtarëve, ndërsa Mourinho sugjeroi se përplasja midis lojtarëve kishte lindur nga shfaqjet e dobëta të skuadrës. Kur u pyet për incidentin, Mourinho tha: “Ishte skenë e bukur. Kjo është ndoshta pasoja e takimeve të ngjeshura. Nëse doni të fajësoni dikë për këtë, unë jam përgjegjësi. Unë isha kritik ndaj djemve të mi, sepse ata nuk janë, për mendimin tim, mjaft kritik ndaj vetes, ose njëri-tjetrit.

Unë u kam kërkuar që të jenë më kërkues. Iu kam kërkuar atyre që të kërkojnë më shumë nga të tjerët. Unë kam kërkuar që ata të bëjnë presion te kolegu për të pasur frymë ekipi, që të gjithë të japin gjithçka në fushë. Ishte një situatë në fund të pjesës së parë, ku një djalë i mahnitshëm, që të gjithë e duan, si Sonny, e pa veten në hije. Në atë situate, kapiteni mendoi se duhet të bënte më shumë për ekipin.

Nja dy fjalë të këqija, nuk jam i sigurt nëse ka pasur shtytje apo jo, por është diçka shumë e rëndësishme që ekipi të rritet. Që një ekip të rritet duhet të kërkohet më shumë nga njëri-tjetri, duhet të kesh personalitete të forta në dispozicion. Unë isha vërtet i kënaqur. Në pushimin mes dy pjesëve fola me ta dhe nuk pata dyshime se do të kuptoheshin deri në fund”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit