“Kam sfiduar Maradona, Gullit dhe Van Basten”; trajneri i ri i Dinamos e nis me “sparkatë”

16 Mars 2022
11:15
Alfred Lleshi
back button

A do të jetë e “treta e vërteta” për Dinamon? A do t’ia dalë ta mbajë “nëndetësen” blu mes më të mirëve të vendit, kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje nga ky kampionat dhe 18 herë kampionët e Shqipërisë renditen për momentin në vendin e parafundit me 23 pikë?

Në funksion të ndryshimit të situatës, presidenca e Dinamos ka emëruar një trajner italian, Rodolfo Vanoli, i treti për këtë sezon. Pra, ai merr “stafetën” e Shkëmbit dhe Devollit, sigurisht për të bërë më mirë se ata. Eksperienca nuk i mungon, ka qenë edhe tek Udinese në rol drejtuesi, ndaj sytë e tifozëve blu janë nga ai.

Gjatë prezantimit të sotëm, 59 vjeçari u shpreh optimist, edhe pse do ta nisë këtë aventurë në derbin e kryeqytetit, kundër Tiranës kryesuese dhe të “arratisur” nga ndjekësit në renditje. Ja fjalët e italianit. “Kemi objektiv ta çojmë klubin në krye.

Është kënaqësi të jem këtu, më vjen mirë dhe jam krenar që do të trajnoj një nga klubet më të rëndësishme në Shqipëri. Objektivi i parë është derbi me Tiranën dhe pastaj të konkludojmë me shpëtimin e sezonit.

Do të bëjmë më të mirën për klubin, për presidentin, që në fund të arrijmë atë që duam. Të jemi aty ku na duan tifozët, jam i bindur se do t’ia dalim. Njoha lojtarët që kanë një dëshirë për të luajtur mirë dhe arritur suksese.

Unë Dinamon e njoh prej kohësh, kush nuk e njeh? Kemi miq të përbashkët me presidentin dhe i kam parë ndeshjet. Kush bën këtë profesion nuk duhet të ketë frikë. Unë vij nga Udinese, kam drejtuar në Europë dhe Ballkan. S’është e lehtë të drejtosh në Slloveni apo Bullgari. Kam fituar titullin kampion.

Unë, kur marr në dorë një gjë, jam përgjegjës. Sot jam unë trajner te Dinamo, janë 11 ndeshje dhe shumë pikë në lojë. Derbi me Tiranën? Jemi këtu për të zgjidhur problemet dhe ta çojmë klubin në krye. Me siguri e dimë se përpara se të çojmë klubin në krye duhet të shpëtojmë sezonin.

Për këtë kemi 11 finale, këto janë motivet që kemi çdo ditë. Djemve iu them që të fokusohemi te ndeshja e së shtunës dhe të japim maksimumin. Sot jemi mbrapa në renditje, duhet të rikuperojmë pikët. Do të jemi në një proces rritjeje.

A besoj te mbijetesa? Çfarë do të thotë kjo, se nuk duhet të dalim në fushë? Nuk do të zbresim në fushë si humbës. Në jetën time kam mësuar t’i respektoj të gjithë. Kam luajtur futboll përballë emrave si Maradona, Gullit dhe Van Basten. Kemi respekt për Tiranën, por jo frikë”.

REVOLUCIONI BLU | Dinamo i beson stolin “njeriut të mrekullive” në Slloveni!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit