Kampioni i botës kryqëzon Sarrin: Gjithkush do të bënte më shumë se ai te Juve

14 Janar 2020
10:39
Alfred Lleshi
back button

Falë fitores së marrë në “Olimpico”, kundër Romës, bardhezinjtë u shpallën kampionë dimri në Serie A. Megjithatë, pavarësisht rezultateve pozitive të Juventusit, puna e bërë nga Maurizio Sarri nuk i ka bindur ende të gjithë. Edhe kundër verdhekuqve, fitorja erdhi me vetëm një gol diferencë, çka ndodhte për të njëmbëdhjetën herë në 19 ndeshje të këtij kampionati. Duke përmendur këtë fakt, Francesco “Ciccio” Graziani, një menaxher italian futbolli dhe ish-futbollist, që luajti si sulmues, pati kritika të ashpra ndaj trajnerit aktual të Juventusit. 

Për mikrofonat e “Radio Sportivo”, ai tha: “Me ata kampionë në skuadër, gjithkush mund të bëjë më shumë sesa ai. Unë shikoj shumë fitore të dobëta dhe vuajtje së fundi, me ekipe mjaft inferiore. Sarri? Ndaj Romës bëri një zëvendësim tjetër, që ishte pa lidhje. I vetmi që nuk preket është CR7. Pse të heqësh dorë nga Higuain? Skuadra do të kishte më shumë ekuilibër”.

Ish-sulmuesi italian, kampion bote me kombëtaren e tij në vitin 1982, nuk u pajtua me zgjedhjen e trajnerit bardhezi për të zëvendësuar Paulo Dybala. Edhe vetë argjentinasi në momentin e zëvendësimit nuk dukej entuziast, por Sarri tha në konferencën për shtyp se nuk shqetësohej fare për gjendjen emocionale të “Joya”. Pra, ka mjaft kritika ndaj trajnerit të Juventusit, por rezultatet e deritanishme të bardhezinjve janë një “ombrellë” për Maurizio Sarri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit