Kampionia olimpike franceze akuzon partnerin-trajner: Deshi të më mbyste, ja si më ka masakruar

3 Dhjetor 2021
9:52
Alfred Lleshi
back button

Xhudistja franceze Margaux Pinot, fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Tokios, denoncoi se kishte pësuar dhunë në familje nga partneri dhe trajneri i saj, Alain Schmitt. Ky i fundit akuzohet se e goditi me grusht dhe tentoi ta mbyste gjatë një sherri fundjavën e kaluar në Paris. Burri, raportuan mediat, u arrestua, por mohoi çdo akuzë, duke i quajtur ato “100% të rreme” dhe akuzoi Pinot se kishte nisur mosmarrëveshjen.

Ai u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga gjykata. Sipas gjyqtarit “nuk ka prova të mjaftueshme faji” për të vazhduar më tej. Sportistja 27-vjeçare ka reaguar menjëherë pas seancës, duke postuar në rrjetet sociale një fotografi të fytyrës së saj të fryrë dhe të shënjuar nga prerje e plagë. Ajo shkroi: “Sa vlen mbrojtja e tyre shpifëse kundër plagëve të mia dhe gjakut të derdhur në dyshemenë e banesës sime? Çfarë mungonte? Vdekja në fund ndoshta? Ndoshta ishte xhudo që më shpëtoi. Mendimet e mia shkojnë gjithashtu tek ato femra që nuk mund të denoncojnë të njëjtën gjë”.

Kampionia, edhe në internet kishte thënë se ishte viktimë e një sulmi të shokut të jetës dhe trajnerit të saj”: “Më shau, më goditu me grushte, më rrëzoi disa herë me kokën në tokë. Më pas deshi të më mbyste”. Ishin fqinjët, ata që lajmëruan policinë. Prokurori ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin e gjyqtarit. Mesazhe mbështetjeje për Pinot erdhën nga bota e xhudos franceze, ndërsa presidenti i federates, Stéphane Nomis, tha se ishte i tronditur nga vendimi i gjykatës. Pinot fitoi, ndër të tjera, një medalje të artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe një të bronztë në Kampionatin Botëror 2019.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit