Kampionia olimpike lë Italinë për Shqipërinë, merr me vete edhe vajzën si sportiste

27 Maj 2022
8:29
Telesport
back button

Ish-skiatorja italiane Daniela Ceccarelli, kampione olimpike në Olimpiadën e “Salt Lake City 2002” në garën e supergjigandit, do të drejtojë kombëtaren shqiptare të skive. Ajo ka marrë nënshtetësinë shqiptare, ndërkohë që ka qenë vetë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ai që i ka dhënë trajneres e familjes së saj pasaportën shqiptare.

Ceremonia e marrjes së nënshtetësisë shqiptare u zhvillua në Tiranë. Ish-skiatorja kampione olimpike bashkë me bashkëshortin e dy fëmijët e saj, tashmë quhen zyrtarisht shqiptarë. Pasaportë shqiptare ka marrë edhe vajza e saj Lara Colturi, 15 vjeçe, që konsiderohet si një talent dhe e ardhmja e këtij sporti në Itali.

Lara do të përfaqësojë Shqipërinë në eventet ndërkombëtare, me shpresën që t’i japë vendin tonë një medalje olimpike aq shumë të dëshiruar. “Lara është një sportiste premtuese, një talent dhe me të, Shqipëria ka të gjitha mundësitë që të ketë një kampione olimpike në të ardhmen”, tha Ministri Çuçi.

Një falënderim i veçantë për “kumbarin” e kësaj iniciative, presidentin e Federatës së Skive, Elvis Toçi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Falë vendosmërisë së tyre dhe kontributit të çmueshëm kjo nismë u kurorëzua me sukses. Mbarë e mirë në karrierën tuaj tashmë për flamurin kuqezi dhe ta gëzoni pasaportën shqiptare”, tha Çuçi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit