Kamza drejt konfirmimit në Superligë, fiton sfidën e mbijetesës me Vllazninë

29 Mars 2019
20:02
Gentian Spiri

Kamza Basket hedh një hap të rëndësishëm drejt qëndrimit në Superligë në basketboll për meshkuj, pas fitores 108-92 ndaj Vllaznisë, ndeshje e vlefshme për javën e 18-të, e luajtur në Kamëz. Një sfidë që vuri përballë dy ekipet që ndodhen në fundin e renditjes dhe ku fitorja ishte objektivi i vetëm për të dyja skuadrat. Gjithsesi, Kamza e meritoi fitoren, duke e dominuar gjatë gjithë kohës ndeshjen.

Që në periodën e parë, skuadra kamzali ishte në epërsi, duke udhëhequr 26-21, diferencë që e ruajti edhe në përfundim të pjesës së parë, 51-46. Për asnjë moment skuadra nga Shkodra nuk arrin të afrohet, ndërkohë që perioda e tretë përfundon 74-66 për vendasit. Vllaznia tenton përmbysjen edhe në 10-minutëshin e fundit, por gabon shumë në gjuajtje, ndërsa Kamza është më e saktë.

Vendasit shkëputen gradualisht, duke fituar krejt ndeshjen 108-92 dhe duke marrë 2 pikët e fitores. Kamza ka 1 pikë më shumë se Vllaznia në renditje, ndërkohë që duhen ende edhe dy javë për t’u mbyllur sezoni i rregullt në Superligë. Skuadra që renditet e fundit (aktualisht Vllaznia) bie direkt në Kategorinë e Parë, ndërsa vendi i pestë (aktualisht Kamza) luan në play out me të dytën e Kategorisë së Parë.

Basketboll – Superliga Meshkuj, java e 18-të (29 mars)

Kamza Basket – Vllaznia, 108-92

E shtunë, 30 mars

Goga Basket – Teuta, ora 17:00 (Akademia Goga)

Tirana – Partizani, ora 18:00 (Fahrie Hoti)

Renditja: Goga Basket 32 pikë (15/2), Teuta 30 pikë (13/4), Partizani 26 pikë (9/8), Tirana 25 pikë (8/9) , Kamza Basket 22 pikë (4/14), Vllaznia 21 pikë (3/15).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit