Kamza para “gijotinës”, drejtori i përgjithshëm largohet: Ky nuk është futbolli im!

6 Mars 2019
10:21
Alfred Lleshi
back button

Drejtuesit e klubit janë pas hekurave, në pritje të masës së sigurisë, që do të jepet sot nga “togat e zeza”. Futbollistët në udhëkryq, duke pritur ndëshkimin e Komisionit të Disiplinës, që mund të jetë tepër i ashpër, deri në përjashtim nga kampionati. Situata duket më e paqartë se kurrë për skuadrën e futbollit të Kamzës. 

Dhuna e ushtruar ndaj kryesorit Eldorian Hamitaj ka bërë xhiron e mediave, edhe jashtë kufijve, ndaj të gjithë po “nxitojnë” tashmë të distancohen nga zallamahija e krijuar. Kështu ka bërë edhe drejtori i përgjithshëm i Kamzës, Fabio Cordella. Nga vendi i tij, Itali, ai ka bërë të ditur “divorcin” me Kamzën, në emër të një vizioni ndryshe që ka ai për futbollin, larg dhunës. 

Ja deklarata e Cordella-s: “Kam vendosur të dorëhiqem si drejtor i përgjithshëm i FC Kamza, pas ngjarjeve fatkeqe, që kanë ndodhur në ndeshjen e fundit të kampionatit, të luajtur në shtëpi. Me këtë deklaratë bëj me dije se kam dhënë dorëheqjen nga klubi, pasi besoj se të njëjtat fakte nuk janë në përputhje me vizionin tim të futbollit. 

Futbolli duhet të jetë një shembull për fëmijët tanë, një shembull i sportit, moralit dhe integritetit. Ju nuk shkoni në stadium për të bërë luftë. Megjithatë, falënderoj klubin për mundësinë e ofruar dhe i përshëndes të gjithë tifozët e Kamzës me dashuri”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit