Kane: Na frymëzoi Liverpool, si ta spostoj tani nga formacioni Lucas Moura?!

9 Maj 2019
10:19
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, do të jetë në ankth deri ditën e fundit, nëse Harry Kane mund të kthehet në kohë për finalen e Ligës së Kampionëve. Vetë ylli i “Spurs” pret një luftë të ashpër për një vend në formacion, pas përmbysjes së pabesueshme të të tijve kundër Ajax, ku Lucas Moura realizoi “tripletë” në Amsterdam. Braziliani shoqëroi në sulm Son, në mungesë të Kane, i cili ka qenë jashtë fushave që nga prilli, për shkak të një dëmtimi të kyçit të këmbës.

Kapiteni i Anglisë shpreson të jetë në dispozicion për finale e madhe të Champions-it, por mendon se do ta ketë të vështirë të “spostojë” ndonjërin nga heronjtë e gjysmëfinales së kthimit: "Shpresoj se do të jem gati për finalen. Rehabilitimi po ecën mirë deri tani. Nuk mund të flas me siguri, do të shohim, por shpresoj të jem në dispozicion të trajnerit. Ka ende disa javë. Lucas ka shënuar një “hat-trick” ndaj Ajax dhe më duket e vështirë ta spostoj nga formacioni. Kemi mundur Manchester City në çerekfinale, tani Ajax në gjysmëfinale, shpresoj të jap kontributin tim në finalen e trofeut. 

Sa i takon gjysmëfinales së kthimit në Amsterdam, ishte gjithçka e pabesueshme. Pjesa e parë mjaft zhgënjyese për ne, sepse pësuam dy gola. Para se të niste pjesa e dytë, ne i thamë njëri-tjetrit: Shikoni, kanë mbetur vetëm 45 minuta. Mund të jetë ndeshja jonë e parafundit e sezonit, nuk duhet të shqetësohemi nëse lodhemi. Pra, duhet të japim gjithçka. Kur Lucas shënoi golin e dytë, atëherë fillova të besoj te kualifikimi. Kur Vertonghen goditi traversën, mendova se fati nuk ishte me ne. 

Lucas shënoi golin e tretë dhe i dha një fund të shkëlqyeshëm kësaj përmbysjeje historike. Djemtë luajtën me zemër, treguan karakterin e fortë dhe kjo është gjithçka që kërkojmë. Ishte një mbrëmje e pabesueshme. Ky është futbolli. Ju e patë ndeshjen e së martës, kur Liverpool gjeti një mënyrë për të përmbysur Barcelonën, edhe pse ishte në disavamntazhin 3-0. Atje u frymëzuam edhe ne, gjetëm një mënyrë për ta përmbysur Ajax, edhe pse nuk jemi për momentin në më të mirën tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit