Atletico Madrid dhe Diego Simeone do të kenë punë të madhe këtë sezon dhe një plan i mirëmenduar po përgatitet në klubin madrilen.
Antoine Griezmann zyrtarizoi se do të largohet në fund të këtij sezoni, që me të gjitha gjasat do të shpallë kalimin tek Barcelona shumë shpejt.
Një problem i madh për trajnerin Diego Simeone do të jetë rindërtimi i mbrojtjes, reparti më i fortë në vitet e fundit tek Atletico, ndërkohë "Marca" ka analizuar çdo repart të Atleticos.
Aktualisht janë 4 lojtarë që do të largohen zyrtarisht pas javës së fundit të kampionatit.
Lucas Hernandez u ble nga Bayern Munich, që i pagoi klauzolën prej 80 milionë euro dhe shtangu klubin spanjoll.
Cikli i Diego Godin (33 vjeç) dhe i Juanfran (34 vjeç) përfundoi, të dy kanë njoftuar publikisht largimin e tyre dhe së shpejti pritet ta bëjë të njëjtën gjë edhe Filipe Luis (33 vjeç). Që do të thotë katër lojtarë të një reparti largohen menjëherë.
Të larguarve do të iu bashkohet edhe Arias, i cili nuk është në planet e klubit dhe do të shitet në verë. Me pesë mbrojtës të larguar, aktualisht mbeten vetëm Savic dhe Gimenez në repartin e mbrojtjes, që do të thotë se në verë Atletico Madrid do hapë thesin për të bërë blerje të bujshme në mbrojtje.
Në mesfushë frika më e madhe është Rodri, për të cilin flitet se Manchester City është gati të paguaje klauzolën e largimit prej 70 milionë euro. Gjithsesi këtë javë klubi do të flasë me vetë lojtarin dhe do të vendosin nëse do të rinovojnë kontratën, apo dëshiron të largohet.
Në sulm, largimi i Griezmann lë një boshllëk të madhe dhe një goditje “big” duhet patjetër. Fatin e francezit do të ketë edhe Nikola Kalinic, i cili do të largohet.
Ndërkohë që e paqartë mbetet situata për Saul dhe Diego Costa.