Kaos para Chelsea-Valencia, lojtarët braktisin trajnerin

17 Shtator 2019
16:27
Denis Hakanaj
back button

Vitet e lavdisë mund të kenë kaluar për Valencia-n, që në fillimin e viteve 2000 luajti dy finale radhazi të Champions League (duke i humbur të dyja), por klubi spanjoll është gjithmonë i pranishëm në kupat e Europës.

Pas eliminimit  në fazën me grupe sezonin e kaluar, Valencia e ka nisur në mënyrën më të keqe atë të riun. Spanjollët do të luajnë mbrëmjen e sotme në fushën e Chelsea-t, një ndeshje që duhet të tregojë mundësitë që ka ekipi i La Liga-s për t’u kualifikuar në fazën pasardhëse, në një grup që përfshin edhe Ajax-in dhe Lille-n.

Megjithatë, sfida që do të zhvillohet në Stamford Bridge rrezikon të kthehet në një dështim total për miqtë. Mjafton të shihet se çfarë ka ndodhur në konferencën për shtyp të zhvilluar nga trajnerit Celades.

Siç ka bërë të ditur Marca, ai është prezantuar para gazetarëve i vetëm. Një gjë e çuditshme, sepse konferencat para ndeshjeve të Champions League parashikojnë që në krah të trajnerit të jetë gjithmonë një lojtar.

Problemi është se skuadra ka vendosur të protestojë dhe ta braktisë trajnerin e ri në konferencën për shtyp. Një protestë kjo që ka ardhur si kundërpërgjigje për vendimin e drejtuesve për të shkarkuar Marcelino-n, duke mos i dhënë asnjë shpjegim lojtarëve dhe tifozëve. Skuadra ka paralajmëruar se do të reagonte dhe “viktima” duket se ka qenë Caledes, i cili nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në Champions.

Delegati i UEFA-s në Stamford Bridge ka marrë shënime dhe mbetet të kuptohet se çfarë do të ndodhë në fundin e ndeshjes, kur protokolli parashikon një tjetër konferencë për shtyp. Nëse asnjë lojtar nuk do të paraqitet, ka shumë mundësi që klubi të ndëshkohet nga UEFA. Por mund të ketë probleme edhe në fushë për spanjollët.

Nëse humbja 5-2 e pësuar kundër Barcelona-s në debutimin e Celades në drejtim të ekipit mund të merret si tregues, atëherë mund të arrihet në përfundimin se lojtarët po “protestojnë” edhe në fushën e lojës duke mos dhënë maksimumin e tyre. Një lajm i mirë për Chelsea-n, që nuk do ta humbasë rastin për të marrë pikët e para në një grup që pritet të jetë shumë i ekuilibruar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit