Kaos te Bayern, shpërthen Nagelsmann: “Kemi një spiun në ekip”

18 Mars 2023
18:12
Denis Hakanaj
back button

Rrëmujë e madhe te Bayern Munich. Trajneri Julian Nagelsmann ka shprehur publikisht zemërimin e tij pasi Sport Bild publikoi një përshkrim të detajuar të planeve taktike të ekipit të tij.

Gazeta gjermane tregoi dokumentet origjinale që trajneri i Bayern-it u dorëzoi lojtarëve të tij, në të cilat shpjegohet me shumë detaje misioni që secili duhet të kryejë taktikisht, si dhe itinerarin e tij specifik.

Rrjedhja e ka bërë të ndihet shumë keq Nagelsmann, i cili u shpreh shumë i zemëruar para mediave: “Më shqetëson shumë. Personi që e transmeton këtë dëmton secilin nga lojtarët, ai nuk është objektivi.

“Cili është personi që e ka bërë këtë? Çfarë po pret? Nuk e shoh se cili mund të jetë motivimi i tij, përtej lehtësimit të detyrës për kundërshtarin”, ka thënë Nagelsmann.

Trajneri gjerman e di se do të jetë shumë e vështirë për të gjetur spiunin: “Spiunët janë specie të mbrojtura. Përpiqem të gjej arsyen. Është gjithmonë e rëndësishme për mua të jem në gjendje të shikohem në pasqyrë gjatë natës, të trajtoj mirë lojtarët dhe kolegët e mi trajnerë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit