Kaos total, Luftëtari nuk gjen dot as trajner

29 Janar 2019
10:49
back button

Gentian Mezani iku, nuk mund të luftonte më me mullinjtë e erës, ndërsa Luftëtari ende nuk ka gjetur trajner të ri, edhe pse qarkullojnë lajme se kërkimet për trajner paskan nisur prej kohësh.

Në mënyrë komike, Luftëtari ka kontaktuar edhe Mladen Milinkovic, ai të cilin e ofenduan në çdo mënyrë, përveçse nuk e paguan. Tani serbi qenka burrë i mirë, por nuk është budalla dhe përgjigja ka qenë një "jo" e prerë, së pari për borxhin prej thuajse 20 mijë eurosh trashëguar nga koha kur punonte në Gjirokastër dhe që sa vjen e rritet, sepse FIFA i ka dhënë të drejtë trajnerit. Së dyti, në situatën aktuale duhet një magjistar për të shpëtuar Luftëtarin dhe Milinkovic nuk ka ndërmend të vendosë një bast të pamundur.

Duhet trajner urgjentisht, por nga jashtë nuk vjen askush, edhe për faktin se kujtimi i Milos Kostic është ende i gjallë: slloveni erdhi në qershor dhe iku nga Shqipëria në shtator, pa fituar asnjë ndeshje në Superiore e duke qenë aktor i heshtur i turpit të orkestruar nga lart në Europa League.

"Më mirë syri, se nami", në Superiore tashmë Luftëtarin e njohin mirë dhe imazhi i shkëlqyer që kishte ndërtuar deri para një viti tashmë është një kujtim i zbehtë, ashtu si pjesëmarrja në Europa League.

Hasan Lika, ai që ndërtoi një ekip spektakolar dhe e çoi në Europë, u hodh në plehra si leckë e vjetër, ndërsa lojtarët aktualë nuk paguhen prej kohësh, ndaj jo më kot më të mirët janë larguar dhe ata që janë ende në Gjirokastër ose janë të bllokuar nga kontratat, ose nuk kanë treg apo guxim për të kërkuar largimin.

Nga trajnerët e rinj në treg, pakkush ka guximin të djegë veten në Gjirokastër, edhe pse ndonjë si Julian Ahmataj apo Gert Haxhiu mund të joshet nga ideja e drejtimit në Superiore, por në kushte më normale, pasi në të shkuarën e kanë provuar ç'do të thotë të drejtosh ekip me "barkun bosh".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit