Kaosi i zakonshëm amerikano-jugor, ja pse Copa America ndryshon format

12 Prill 2019
16:35
back button

CONMEBOL, konfederata e futbollit në Amerikën e Jugut, ka bërë të ditur se formati i zakonshëm i Copa America do të ndryshojë prej këtij viti.

Këtë verë do të zhvillohet edicioni i radhës, por nëse deri tani Copa America zhvillohej çdo dy vjet në vitet teke, tashmë do të kalojë në vitet çift, që do të thotë se do të kemi Copa America edhe vitin e ardhshme

Turneu i vitit 2020 do të zhvillohet në Argjentinë dhe Kolumbi, një zgjedhje e çuditshme, po të kemi parasysh që dy vendet janë thuajse 5000 km larg.

Të dyja vendet donin ta organizonin turneun për arsye të ndryshme, duke qenë në konflikt. Argjentina e ka organizuar Copa America për herë të fundit në 2011, ndërsa Kolumbia e ka organizuar vetëm një herë, në 2001.

Ndryshe nga tradita, me 3 grupe me nga 4 skuadra, në 2020 do të kemi 2 grupe me nga 6 ekipe. Katërt eekipet e para në secilin grup do të vijojnë më tej, ndërsa në fund numri i ndeshjeve të zhvilluara do të jetë 38, jo 26 si deri tani.

Sipas ESPN, arsyeja e ndryshimit qëndron te dëshira e CONMEBOL për të organizuar Kupën e Botës 2030 në Amerikën e Jugut.

Argjentina dhe Kolumbia u zgjodhën pikërisht për këtë arsye, edhe pse fillimisht donin ta organizonin më vete Copa America. 

CONMEBOL beson se Argjentina, si pjesë e një grupi shtetesh që duan të organizojnë Kupën e Botës 2030 (Uruguai është aleati kryesor) , do ishte vendi që do mbante peshën kryesore të Botërorit.

Problemi është se finalja e Copa Libertadores mes Boca Juniors e River Plate, në Buenos Aires, përfundoi në kaos dhe më pas finalja u luajt në Madrid, ndaj Copa America 2020 është shansi i Argjentinës për të treguar se di të organizojë si duhet evente madhore.

Ndërkaq, Kolumbia mendon se ka të drejtë të organizojë Botërorin e ardhshëm në Amerikën e Jugut, duke qenë se Brazili (2014) dhe Argjentina (1978) e kanë organizuar më herët.

Pikërisht këto debate bënë që CONMEBOL të vendosë për Copa America 2020 në Argjentinë e Kolumbi, duke marrë përsipër të zgjidhë edhe problemet e shumta që lindin nga organizimi në dy vende kaq larg njëri-tjetrit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit