Kapriçio e kalendarit / Tirana mund ta festojë titullin në derbi? Shehi ka këtë mesazh për “demat e kuq”

6 Maj 2022
12:52
Alfred Lleshi
back button

Do të jetë derbi i fundit sezonal, i katërti mes Partizanit dhe Tiranës. Nesër, në “Elbasan Arena”, pej orës 18:45 do të përballen dy skuadrat kryeqytetase, me synime krejt të kundërta. Bardheblutë kanë dy javë që dështojnë të sigurojnë edhe matematikisht titullin e 26-të në histori, ndërsa të kuqtë do të bëjnë çmos të mos bëhen “skenë” e laureimit të “armikut” të madh.

Trajneri Orges Shehi u shpreh kështu para gazetarëve, duke bërë prognozën e derbit të madh të kryeqytetit, por që do të luhet në Elbasan: “Rëndësia e derbit dihet, nuk ka lidhje aspak klasifikimi se ku renditen të dyja skuadrat. Të dyja klubet luajnë dy kampionate brenda një kampionati. Është trofeu dhe vendi i parë, por është dhe derbi, që shihet si një trofe. Do të jetë një ndeshje ndaj një rivali historik, do të bëjmë më të mirën tonë.

Ndeshja e fundit është shumë afër dhe mund të lërë gjurmë vetëm përsa i përket aspektit fizik. Partizani është më i avantazhuar ndaj nesh. Nuk do të doja që kalendari të mos ishte i tillë, pse Partizani ka vetëm 24 orë më shumë se ne për të riaftësuar lojtarët.

Duhet ta ‘ftohim kokën’ dhe të jemi të qetë për ndeshjet në vijim. Për këtë sfidë nuk jemi të plotë. Na mungojnë 3 lojtarë titullarë, të rëndësishëm, por gjatë kampionatit ka pasur faza që kemi bërë mirë edhe me kontingjent jo të plotë. Do të zbresim në fushë me një formacion që do të bëjë më të mirën e tij me lojtarët që do të futen në fushë, shpresoj që këto mungesa të mos peshojnë shumë.

Tifozët kanë qenë dhe do të jenë arma më e fortë e këtij klubi dhe do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur ata. Ndeshjet e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet, jo në pritshmërinë e tifozëve.

Gjatë një kampionati ka momente të mira dhe të këqija. Nuk kemi pasur momente të këqija, normalisht që këto javët e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet dhe ka shumë faktorë që ndikojnë. Nuk ka më mirë sesa një sfidë derbi që të rikthejmë entuziazmin dhe dëshirën. Synojmë pikët që na kanë munguar këtë periudhë.

Rrallë herë ka ndodhur në këtë kampionat që në çdo ndeshje radhazi ne pësojmë gol. Kjo nuk është gjë e mirë, ndaj do të punojmë në aspektin psikologjik, që skuadra të mos humbasë përqendrimin. Ne përballë do të kemi një kundërshtar që është historik dhe përqendrimi nuk besoj se do të mungojë te lojtarët, por nuk dua të udhëhiqemi nga doza emocionale që pastaj të ngarkohemi psikologjikisht.

Seferi po zhvillon një volum të madh gjatë ndeshjes. Nuk ka shënuar, por po punon shumë për skuadrën dhe kjo e fundit duhet të punojë shumë që ta nxjerrë në pozicion shënimi. Na mungon Devid De Silva që është sulmuesi kryesor.

Xhixha ka pasur problemet e veta dhe nuk e kemi aktivizuar që nga fillimi. Shpresoj që nesër sulmi ynë të rikthehet te goli dhe ta marrë skuadrën për dore. Në përballjen me kundërshtarin tonë historik këtë sezon kemi dy fitore dhe një barazim, shpresojmë që këtë ecuri ta vazhdojmë dhe nesër”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit