Kartoni i parë i kuq me Barçën, pas 753 ndeshjeve. Ja dënimi që e pret Messin

18 Janar 2021
9:22
Alfred Lleshi
back button

Barça mbeti pa Superkupën e Spanjës, dhe pa Leo Messin. Argjentinasi u përjashtua me karton të kuq disa sekonda nga fundi i sfidës së mbrëmshme. Pas një mosmarrëveshjeje me topin në lojë me Asier Villalibre, Leo Messi e goditi atë me shuplakë, gjë që gjyqtari nuk e pa, por VAR e shqyrtoi. Hernández Hernández, në dhomën e VAR, shikoi shfaqjen dhe i tha Gil Manzano të shkonte dhe ta konsultonte vetë rastin në monitor.

Arbitri kryesor, pasi pa imazhet për disa sekonda, ishte i qartë për këtë dhe dërgoi jashtë Leo Messin për goditjen ndaj lojtarit të Athletic Bilbao. Ky karton i kuq i drejtpërdrejtë është i pari për Leo Messin, veshur me fanellën e ekipit të parë të Barçës, pas 753 ndeshjeve, dhe i treti në karrierën e tij. I pari që kishte marrë i përkiste kombëtares argjentinase, ditën e debutimit të tij kundër Hungarisë.

Me Barçën B, Messi ishte dërguar jashtë me të kuqe në një ndeshje kundër Peña Sport, më 2006, 15 vite më parë. Për një veprim të këtij lloji, Messi mund të ekspozohet ndaj një sanksioni midis 4 deri në 12 ndeshje, nëse Komiteti Disiplinor i RFEF e konsideron një shkelje serioze, siç tipizohet nga Neni 98 i Kodit Disiplinor. Sidoqoftë, përpilimi i procesverbalit të Gil Manzano lë derën hapur për ndonjë sanksion të lehtë ndaj argjentinasit, midis 1 dhe 3 ndeshjeve, duke marrë parasysh gjyqtarin që shkroi në relacion se Leo bëri vetëm një “përdorim të tepruar të forcës”. Sanksioni, sido që të jetë, mund të shërbehet si në Kupë ashtu edhe në La Liga.

 

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit